Organizata e Kombeve të Bashkuara të hënën shënoi 75 vjetorin e themelimit, ndërsa bota përballet me një pandemi dhe shumë sfida të tjera. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së theksoi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar si rruga e vetme e tejkalimit të këtyre sfidave.
Në qershor të vitit 1945 në San Francisko të Kalifornisë u miratua statuti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
E krijuar që të pengojë përsëritjen e mizorive të Luftës së Dytë Botërore, OKB-ja ofroi një sistem paqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
Organizata shënon 75 vjetorin e themelimit ndërsa bota përballet me sfida të ndryshme, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“Pandemia COVID-19 vuri në dukje brishtësitë e botës. Vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë ato. Sot kemi shumë sfida shumëpalëshe dhe mungesë të zgjidhjeve”, tha ai.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus tejkalon shifrën prej 31 milionë ndërsa raportohet për më shumë se 960 mijë të vdekur.
Zoti Guterres theksoi arritjet e OKB-së në uljen e urisë dhe varfërisë, zhdukjen e sëmundjeve dhe ndihmat për miliona viktima në luftëra dhe fatkeqësi. Ai gjithashtu foli për sfidat që bota ka përpara.
“Fatkeqësitë klimatike po afrojnë. Biodiversiteti po shkatërrohet. Varfëria po rritet. Tensionet gjeopolitike po shtohen”, tha Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres.
Zakonisht në përvjetorë si ky, fillonte punë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një takim vjetor i udhëheqësve botërorë. Por pandemia bëri që të gjitha takimet e këtij viti të bëhen virtualisht, me udhëheqësit që dërgojnë video mesazhe. Vetëm nga një përfaqësues për shtet lejohet në sallë.
ShBA është vendi mikpritës i OKB-së, me seli në Nju Jork, si dhe financuesi kryesor i punës së organizatës. Presidenti Donald Trump ishte kritik ndaj saj, ndërsa ShBA uli buxhetin për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe programe tjera.
“75 vjetori është koha e duhur të diskutojmë për pikat e forta dhe të dobëta të institucionit, të rishikojmë dhe mësojmë nga dështimet dhe të festojmë të arriturat”, tha Zëvendës Ambasadore amerikane në OKB.
Ndërsa ShBA po distancohet nga organizata, Kina kërkon të plotësojë vakumin.
“Kina do të vazhdojë mbështetjen e bashkëpunimit shumëpalësh. Do të qëndrojë e angazhuar në reformën dhe zhvillimin e sistemit të qeverisjes botërore. Do të mbështesë me vendosmëri sistemin qëndror ndërkombëtar të OKB”, tha Presidenti kinez, Xi Jinping.
Ndërsa OKB ndjek synimet, duhet unitet dhe vullnet politik i të 193 vendeve anëtare në mënyrë që të tejkalohen me sukses problemet me të cilat përballet bota.
Facebook Forum