Lidhje

SHBA: Roli i moderatorëve në debatet presidenciale


Moderator Jim Lehrer tells Republican presidential candidate Texas Gov. George W. Bush, right, that the candidates made the rules as Democratic presidential candidate Vice President Al Gore listens at the first presidential debate Tuesday, Oct. 3, 2000, a
Moderator Jim Lehrer tells Republican presidential candidate Texas Gov. George W. Bush, right, that the candidates made the rules as Democratic presidential candidate Vice President Al Gore listens at the first presidential debate Tuesday, Oct. 3, 2000, a

Data e ardhshme e rëndësishme në kalendarin e politikës amerikane është 29 shtatori, kur mbahet i pari mes tre debateve mes Presidentit Donald Trump dhe ish-nënpresidentit, Joe Biden. Por në skenë do të jetë edhe një person i tretë: moderatori.

Vëmendja gjatë debateve është tek kandidatët dhe tek qëndrimet e tyre, por është edhe një person i tretë që ka një rol me peshë tek ajo që thuhet dhe kur thuhet.

Moderatori i debatit, nuk bën thjesht pyetje.

“Mendoj se puna më e rëndësishme e moderatorit është që të bëjë pyetje pasuese pas përgjigjeve të kandidatëve. Të dinë të bëjnë pyetjet e duhura në një debat mes tyre dhe t’i sfidojnë ata”, thotë profesori John Koch, drejtor i debateve, në Universitetin Vanderbilt.

Gazetarë me reputacion përzgjidhen si moderatorë nga Komisioni jopartiak për Debatet Presidenciale.

Jim Lehrer, ish-drejtuesi i emisioneve për televizionin PBS, i cili ka vdekur, ka drejtuar numrin më të madh të tyre: 12.

“Nëse njëri prej tyre thotë ‘kam një plan me shtatë pika’, moderatori thotë ‘në rregull, më thoni tre pikat e para’”, shpjegon Mary Kate Cary studiuese e qendrës Miller, në Universitetin e Virxhinias.

Ajo pati marrë pjesë në një seminar për moderimin e debateve, të drejtuar nga zoti Lehrer.

“Ai thoshte ‘nëse bën një pyetje të gjatë dhe të ndërlikuar, do të marrësh një përgjigje të gjatë dhe të ndërlikuar’. Prandaj ai preferonte pyetje si për shembull ‘cila është ideja juaj për një marrëveshje të mirë”’, apo ‘a jeni dakord me këtë gjë?’ dhe të tjera të këtij lloji”, thotë zonja Cary.

Ajo thotë se zoti Lehrer takohej me kandidatët para debatit, për t’u shpjeguar atyre se si do t’i zbatonte rregullat. Ai gjithashtu ia shpjegonte rregullat edhe audiencës, që të sigurohej që ajo të ishte e qartë.

“Dhe nëse një kadidat i shkelte rregullat ose merrte shumë kohë apo nuk lejonte rivalin të fliste, apo e përvetësonte skenën, audienca do t’i kthehej atij personi, sepse i dinte rregullat. Dhe kjo e bënte më të lehtë për moderatorin të thoshte ‘kjo është një shkelje e rregullave. Prandaj le të bëjmë këtë ose atë’”, thotë zonja Cary.

Po nëse një kandidat thotë diçka të pavërtetë?

“Ai nuk e sheh si rolin e moderatorit që të hidhet dhe të kontrollojë faktet. Ai mendonte që që moderator duhet të ndalet dhe të thotë: ‘Dua t’ju jap një shans që të qartësoni atë që thatë’”, thotë ajo.

“Në vitin 2012, pati një debat të fortë me gazetaren Candy Crowley, e cilakontrolloi vërtetësinë e fakteve gjatë debatit me Mitt Romney-n”, thotë Jennifer Marcieca, profesore e komunikacioneve në Universitetin A&M të Teksasit.

“Dua që të sigurohem që e dëgjuam të gjithë, sepse presidentit iu deshën 14 ditë para se ta quante akt terrorizmi sulmin në Bengazi”, tha zoti Romney.

“Shihni transkriptin”, reagoi presidenti i atëhershëm, Barack Obama.

“Në fakt ai e quajti akt terrorizmi”, ndërhyri moderatorja Crowley.

“Mund ta thuash me zë më të lartë, Candy?”, tha zoti Obama.

“Deri në atë moment, kishte pasur një këmbim të tensionuar mes kandidatëve. Ajo ndërhyri, në përpjekje për ta shtyrë përpara bisedën. Dhe pati një reagim të fortë nga e djathta ndaj ndërhyrjes së saj”, thotë Prof. Mercieca.

Mes moderatorëve të debateve për këtë vit do të jetë Chris Wallace i televizionit FOX News, i cili do të drejtojë debatin e parë më 29 shtator. Ai ishte moderator edhe në vitin 2016.

Steve Scully, producent ekzekutiv dhe drejtues në kanalin C-SPAN, do të moderojë debatin e dytë, që do të ketë një format diskutimi me audiencën.

Debati i tretë do të drejtohet nga Kristen Welker, që mbulon Shtëpinë e Bardhë për NBC News.

Debati i vetëm mes kandidatëve për nënpresident do të drejtohet nga shefja eredaksisë së Uashingtonit për USA Today, Susan Page.

Mary Kate Cary kujton këshillën më të mirë të moderatorit Jim Lehrer: mos vendosni veten në qendër të vëmendjes.

“Citimi që më vjen gjithnjë në mendje është: ‘nëse dikush më citon mua, moderatorin, pas debatit, unë kam dështuar’”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG