Lidhje

Anëtarët e Kongresit duan shpjegime për mohimin e vizave të gazetarëve të VOA-s 


Një grup anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit i bënë thirrje të hënën kreut të Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack të ofrojë shpjegime për vendime që, sipas ligjvënësve, vënë në rrezik gazetarë dhe misionin e këtij rrjeti transmetimesh, që përfshin edhe Zërin e Amerikës.

Nëntë anëtarë demokratë të Kongresit nënshkruan një letër në adresë të zotit Pack, ku kërkojnë shpjegime për veprimet e agjencisë, përfshirë mos zgjatjen e vizave për gazetarët e huaj si dhe komentet e shefit ekzekutiv mbi rreziqet e sigurisë, si dhe angazhimin e tij për të rritur moralin dhe për të përmirësuar efikasitetin e punës së rrjeteve transmetuese.

Ndër nëntë anëtarët e Kongresit janë Senatori Bob Menendez, anëtari më i lartë demokrat në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë si dhe ligjvënësi Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Mos zgjatja e vizave përbën trajtim pa përfillje të një kategorie punonjësish dhe kontraktorësh që kanë përdorur aftësitë dhe njohuritë e tyre unike në shërbim të misionit të USAGM,” thuhet në letër. Nënshkruesit shtojnë se ata që preken nga kjo politikë kanë punuar për të ofruar raportime që “shpesh janë të vetmet lajme të pangjyrosura, transparente dhe të besueshme tek të cilat kanë qasje njerëzit në disa vende të huaja”.

Letra ngre pyetjen se si vendimi për të mos zgjatur vizat mbron interesat e sigurisë kombëtare amerikane dhe i bën thirrje zotit Pack të përgjigjet me shkrim brenda datës 30 shtator.

Agjencia USAGM nuk iu përgjigj këkesës së Zërit të Amerikës për komente.

Që nga konfirmimi i tij në qershor, zoti Pack ka thënë në disa intervista dhe komunikime me stafin e Zërit të Amerikës se do të mbrojë pavarësinë redaksionale të agjencisë dhe do ta bëjë atë më efektive në përmbushjen e misionit të saj. Ai ka thënë gjithashtu se kontrolle qeveritare kanë nxjerrë në pah probleme serioze sigurie që kanë vazhduar prej vitesh dhe që nuk janë trajtuar nga udhëheqësit e mëparshëm të institucionit.

Kur mori derytën si shef ekzekutiv i USAGM, zoti Pack shkarkoi krerët e Radios Evropa e Lirë/Radio Lirisë, Radio Azia e Lirë dhe Rrjetit të Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe u përpoq të zëvendësonte bordin e Fondit për Teknologji të Hapur. Amanda Bennett, ish-drejtoreshë e Zërit të Amerikës, dha dorëheqjen dy ditë para se të vinte në post zoti Pack.

Shefi ekzekutiv njoftoi gjithashtu një rishikim të procesit të vizave J-1 për gazetarë të huaj; gjatë procesit të rishikimit disa prej vizave skaduan pa u rinovuar. Në gusht, udhëheqja e institucionit pezulloi me pagë gjashtë drejtues të lartë të agjencisë.

Në një deklaratë në korrik, zoti Pack tha se kishte dhënë urdhër për një hetim lidhur me dështime që ai tha se kishin kompromentuar aftësinë e agjencisë për të përmbushur misionin e saj, të cilat “përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA”.

Ligjvënës republikanë dhe demokratë kanë ngritur shqetësime për veprimet e zotit Pack që kur ai mori postin e shefit ekzekutiv të institucionit. Zoti Pack do të dëshmojë para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë më 24 shtator.

Humbasin punën gazetarë të huaj

Më 27 gusht, zyra e personelit të USAGM dërgoi letra ku njoftonte mbylljen e kontratave të punës për disa gazetarë të ardhur në SHBA me viza pune J-1, të cilat kishin skaduar ose ishin në prag të skadimit.

Letrat njoftonin se USAGM kishte mbyllur kontratat sepse vizat kishin skaduar, gjë që nënkuptonte se personi në fjalë “nuk kishte më autorizim për të punuar në SHBA”.

Një gazetar tha për Zërin e Amerikës se letra kishte datën e gabuar dhe nuk përfshinte periudhën e kërkuar për të dërguar njoftim 15 ditë para hyrjes në fuqi të vendimit.

Të paktën dy gazetarë kanë marrë letra të tilla megjithëse vizat e tyre janë të vlefshme deri në tetor, thanë për Zërin e Amerikës persona në dieni të situatës, por jo të ndikuar personalisht prej saj. Kur një nga gazetarët i dërgoi pyetje zyrës së personelit, u informua se letrat ishin dërguar gabimisht.

Dy punonjës të shërbimit në gjuhën indoneziane ishin kthyer në vendin e tyre para se të merrnin letrat për mbylljen e kontratës. Ata janë ndër të paktën pesë gazetarë të Zërit të Amerikës që janë detyruar deri tani të largohen nga SHBA për arsye të skadimit të vizave.

Zyra e shefit ekzekutiv tha se po analizon një nga një kërkesat për rinovim vizash “për të përmirësuar menaxhimin e agjencisë dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA”. Anëtarët e Kongresit, grupet për lirinë e medias dhe gazetarë amerikanë thonë se procesi për rishikimin e vizave ka vënë gazetarët e Zërit të Amerikës në rrezik.

John Daniszewski, nënpresident i Agjencisë së lajmeve Associated Press dhe redaktor për standardet, tha për Zërin e Amerikës se siguria e gazetarëve duhet të jetë përparësi. “Mbrojtja e gazetarëve është shumë e rëndësishme në këtë botë ku gazetari po sulmohet kudo dhe kur duhen shmangur të gjitha veprimet që vënë gazetarët në rrezik më të madh,” tha ai.

Në fillim të shtatorit, mbi 40 punonjës dhe ish-punonjës të Zërit të Amerikës, përfshirë shefa të byrove redaksionale dhe korrespondentë të huaj nënshkruan një letër dërguar në adresë të drejtorit në detyrë të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj lidhur me ndryshimet në personel dhe komentet e zotit Pack gjatë një interviste.

Letra ngre shqetësimin se “Veprimet e zotit Pack rrezikojnë të dëmtojnë rëndë programe dhe projekte në disa vende që konsiderohen përparësi për sigurinë kombëtare”.

Letra citon një intervistë që zhvilloi më 27 gusht zoti Pack me portalin mediatik konservator, The Federalist, ku fliste për muajt e parë të udhëheqjes së tij në USAGM dhe vëmendjen e tij tek çështje të sigurisë kombëtare.

Në intervistë zoti Pack pohon se gazetarët që rrezikojnë jetën janë “të motivuar në mënyrë heroike për të përcjellë të vërtetën në ato zona” ku njerëzit jetojnë nën regjime shtypëse.

Ai mohoi se ka bërë spastrime në radhët e gazetarëve kur po diskutonte se po rishikohen çështje të sigurisë. Zoti Pack shtoi se disa nga proceset e kontrollit të së kaluarës së disa punonjësve nuk ishin kryer si duhet dhe se shërbime të huaja zbulimi kanë shfaqur interesim për të infiltruar në agjencitë mediatike të financuara nga qeveria amerikane që nga krijimi i tyre, duke shtuar “është vend ideal për të futur një spiun”.

Andre de Nesnera, ish-drejtor i lajmeve për Zërin e Amerikës, me një karrierë 35-vjeçare në këtë agjenci, tha se kishte nënshkruar letrën si reagim ndaj ndërprerjes së kontratave të gazetarëve, të cilët mund të jenë tani të kërcënuar për jetën, po ashtu edhe në përgjigje të komenteve të zotit Pack gjatë intervistës.

“Kredibiliteti është shumë i rëndësishëm,” tha zoti de Nesnera. “Kredibiliteti nuk sigurohet lehtë. Duhet një jetë e tërë për ta siguruar dhe një sekondë për ta humbur. Disa prej nesh besojnë se si rezultat i disa prej deklaratave të zotit Pack dhe pikëpamjeve që ai ka shprehur, Zëri i Amerikës do të bëhet një zë i qeverisë amerikane, gjë që nuk ndodh aktualisht”.

Zoti Pack, gjatë intervistës së 10 shtatorit në emisionin the Sara Carter Show, përsëriti komentet e tij se agjencia do të ishte vend i përshtatshëm për të futur një spiun. Ai shtoi se gjatë 10 vjetëve të fundit, procesi për kontrollin e të kaluarës së 40% të personelit nuk është kryer si duhet, duke shtuar se si rezultat USAGM nuk e di nëse Zëri i Amerikës apo rrjetet e tjera janë infiltruar gjatë kësaj periudhe.

Jason Rezaian, opinionist për gazetën Washington Post tha për Zërin e Amerikës se komentet e zotit Pack për spiunë ishin “të papërgjegjshme dhe bien ndesh direkt me mandatin e këtij institucioni të respektuar”. Zoti Rezaian u burgos për 544 ditë në Iran lidhur me akuza falso për spiunazh, kur punonte si korrespondent i Washington Postit në Teheran.

“Komente të tilla rrisin në mënyrë të panevojshme dyshimet dhe ngrenë pikëpyetje mbi misionin e Zërit të Amerikës,” tha ai.

Kur akuzohesh se je spiun, tha gazetari, “është e pamundur t’i bindësh të tjerët kur ke përballë njerëz që nuk të besojnë, të cilët janë të bindur se 2+2=5. Nuk ke si t’i bindësh”.

“Shpesh gafa të tilla, komente të tilla publike nga zyrtarë perëndimorë përdoren kundër individëve që janë të rrezikuar, të pambrojtur,” tha zoti Rezaian. Ai citoi komentet e Kryeministrit britanik Boris Johnson gjatë kohës kur ishte ministër i jashtëm, lidhur me një mësuese të burgosur në Teheran, kur zyrtari britanik u shpreh se mësuesja po trajnonte gazetarë, gjë që nuk ishte e vërtetë.

“Shqetësohem se gjëra të tilla amplifikohen dhe çojnë në situata ku gazetarë të dedikuar që përpiqen të përcjellin lajme në komunitetet e tyre, do të ndeshen me rrezik më të madh”.

Dy ish-gazetarë të Radios Azia e Lirë aktualisht përballen me padi për spiunazh pasi u akuzuan se kishin vendosur fshehurazi pajisje regjistrimi në mjediset ku kishte qenë redaksia e Radios Azia e Lirë në Pnom Pen, që të vazhdonin të transmetonin edhe pasi u mbyll redaksia. Nëse shpallen fajtorë, gazetarët të cilët aktualisht janë nën mbikqyrjen e gjykatës, mund të burgosen për 15 vjet. Sam Chamroun, avokat mbrojtës i gazetarëve tha për Zërin e Amerikës se kjo çështje ka kaluar në Gjykatën e Lartë.

Edhe gazetarëve të Zërit të Amerikës, Radios Azia e Lirë dhe rrjeteve të tjera u janë mohuar vizat, ose janë deportuar, arrestuar apo sulmuar në vende ku kufizohet liria e shtypit.

“Republika Islamike dhe regjime të ngjashme: në Rusi, Kinë, Arabi Saudite, gjithnjë e më shpesh në Turqi dhe Egjipt, janë vende ku ndeshim shumë probleme. Nuk duam t’u japim shanse të reja që t’u heqin gazetarëve mundësinë për të punuar,” thotë zoti Rezaian.

Nën thuajse çdo qeveri autoritare “gazetarët akuzohen se spiunojnë apo minojnë sigurinë kombëtare kur publikojnë fakte të pakëndshme,” thotë zoti Daniszewski i agjencisë së lajmeve Associated Press. “Është shumë e rrezikshme të aludosh se gazetarët janë spiunë. Kjo e bën çdo gazetar person të dyshimtë dhe në një farë mase vë çdo gazetar në rrezik”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG