Mijëra pishina publike në të gjithë Shtetet e Bashkuara u mbyllën për shkak të pandemisë COVID-19. Prandaj po lulëzon biznesi për krijuesit e një aplikacioni që lejon njerëzit të japin me qera pishinat e tyre private për disa orë. Aplikacioni quhet "Suimpli" dhe themeluesi i tij thotë se biznesi është rritur 2,500 për qind që nga qershori.
Missy Jenkins është duke pastruar me kujdes oborrin me dezinfektues, duke mbledhur gjethet e rëna në pishinë dhe duke rregulluar jastëkët e shezllonëve.
Banorja e Aleksandrisë në Virxhinia është një nga mbi 7,000 amerikanë që japin me qera pishinat e tyre private gjatë muajve të verës.
“U regjistrova të premten, gati dy javë më parë. U miratova pas disa orësh dhe të nesërmen pata rezervimin e parë! Çdo ditë pas asaj pishina ishte e prenotuar. Më pas filluan të vinin vlerësimet në aplikacion dhe të gjithë klientët më kanë dhënë 5 yje – pra rezervimet kanë qënë të konstante”, thotë Missy Jenkins.
Jenkins ka siguruar qeramarrës përmes një aplikacioni të quajtur "Suimpli" - një platformë e ngjashme me Airbnb.
Jenkins aktualisht punon në kujdesin shëndetësor. Dhënia me qera e pishinës e ndihmon të fitojë disa para shtesë - mjaftueshëm, thotë ajo, për të paguar kredinë dhe për të mbuluar mirëmbajtjen e pishinës.
"Ka qenë këndshëm në fakt! Kam takuar disa njerëz vërtet të mirë! Të shtunën në mbrëmje mora një mesazh nga një kliente që do të vinte të dielën në mëngjes. Ajo më tha se sapo ishte fejuar. Ishte shumë të ngazëllyer dhe donte të sillte disa nga miqtë e saj. Dhe mendova - është kaq bukur që dikush që nuk e njoh, është kaq e gëzuar të ndajë lajmin e saj me mua! "
Aplikacioni Suimpli u krijua në vitin 2018 nga dy njujorkezët, Bunim Laskin dhe Asher Weinberger.
“Kërkuam përmes aplikacionit Google Earth, për të gjetur shtëpitë që kishin pishina dhe trokitëm në 80 dyer. 76 prej tyre nuk e pranuan idenë tonë të biznesit. Krijuam një faqe elektronike për 400 dollarë dhe i vendosëm ato 4 shtëpi që pranuan në platformën tonë. Brenda pak javësh patëm mijëra të tjerë që regjistruan pishinat e tyre në aplikacionin tonë”, thotë Asher Weinberger, bashkëthemeluesi i kompanisë.
Por biznesi për kompaninë u rrit me të vërtetë gjatë pandemisë COVID-19 kur u mbyllën pishinat publike. Biznesi u rrit me mbi 2500 për qind thotë Weinberger.
“Nga ana e ofruesve, kemi nga ata që na drejtohen çdo ditë duke thënë - hej, unë humba punën, dhe ju po më ndihmoni të paguaj jo vetëm për pishinën, por tërë kredinë. Kjo është shumë fitimprurëse! Dhe në anën tjetër janë njerëzit që janë bllokuar në shtëpi, ata që punojnë në shtëpi - pa asnjë kamp, dhe me pishinat publike të mbyllura. Ku tjetër më mirë mund të bëjnë festën e ditëlindjes së fëmijëve? "
Mundësia për të dhënë me qera pishinën e saj e ndihmoi shumë Patricia Caunegre-in. Për disa muaj, burri i saj, mjek i terapive alternative, nuk mund të punonte për shkak të pandemisë. Aplikacioni i ndihmoi të shmangin probleme financiare.
“Për shkak të COVID-it, të gjithë po kërkojnë një vend të sigurt. Nuk do të shkosh në pishinën publike, ndoshta ke imunitet të dobët, je shtatzënë apo ke foshnje të vogla… Unë i lejoj prindërit me fëmijë! ”
Nga 15 deri në 300 dollarë në orë në varësi të madhësisë së pishinës, llojit dhe vendit.
Facebook Forum