Një nga gjërat pozitive që ka sjellë pandemia e koronavirusit është një vlerësim i ripërtërirë për punonjësit e ndërmarrjeve që mbledhin mbeturinat në Shtetet e Bashkuara. Ata rrezikojnë shëndetin e tyre çdo ditë për të mbajtur mjedisin të pastër dhe ruajtur shëndetin publik. Në materialin në vazhdim, korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim masave të nevojshme për të mbrojtur më mirë këta punonjës thelbësorë.
Dynita Glenn është punonjëse e njësisë që grumbullon pehrat “Fairfax Transfer Station” pak kilometra në jug të kryeqytetit amerikan në shtetin Virxhinia.
“Banorët, në fillim nuk na përfillnin, sepse mendonim se ne jemi pa vlerë. Ne mbledhim mbeturinat por nuk jemi mbeturina”, thotë ajo.
Perceptimi po ndryshon, thotë Dynita Glenn, e cila ka shumë vite që punon në industrinë e mbeturinave të ngurta. Ajo punon në një qendër në Virxhinia ku shumë punonjës janë prekur me koronavirusi.
Hans Christensen drejton operacionet e kësaj industrie në qarkun Fairfax.
“Disa njerëz janë sëmurur, dhe ata kanë pjestarë të familjes që kanë qenë të sëmurë, ata kanë nevojë që dikush të kujdeset për ta.”
Shtetet e Bashkuara kanë mbi 400 mijë punonjës të mbeturinave të ngurta. Që nga mbyllja e vendit si rezultat i pandemisë, plehrat në zonat e banuara janë shtuar me rreth 25 përqind, dhe nevoja për këta punonjës është më e madhe se asnjëherë.
David Biderman është me shoqatën kombëtare të Amerikës së Veriut që merret me industrinë e plehrave të ngurta.
“Nëse mbeturinat mbeten në rrugë për disa ditë, kjo përbën problem për shëndetin publik. Mbeturinat përmbajnë patogjenë dhe përhapen kur bie shi.”
Epidemiologët thonë se trajtimi i mbeturinave nuk është ajo që rrezikon më së shumti punonjësit për infektim me koronavirus. Në fakt janë ndërveprimet e tyre me komunitetin dhe shtimi i kohës së ekspozimit si punonjës thelbësorë. Melissa Perry është epidiomologe me Universitetin George Washington.
“Nëse një njeri i sëmurë që është i infektuar kollitet, tështin, flet apo këndon, ai mund të transmetojë grimca të vogla nga frymëmarrja që në gjuhën mjekësore quhen aerosole.”
Në shkallë kombëtare, jo të gjithë punonjësit sanitarë kanë patur qasje të shpejtë në pajisjet mbrojtëse.
“Republic Services”, kompania e dytë më e madhja në vend për menaxhimin e plehrave, ka patur protesta lidhur me kushtet e sigurta të punës. Pete Keller është me kompaninë “Republic Services”.
“Gjatë ditëve të para, punonjësit ishin të shqetësuar. Shqyrtuam distancimin fizik dhe pajisjet e mbrojtjes personale. Çdo ditë po bëjmë desinfektime të shumfishta.”
Ndërsa pajtohen se gjërat janë më mirë, sindikata e punonjësve thotë se ende ka një problem me politikën e kompanisë për dhënien 10 ditë pushim me pagesë për punonjësit me COVID-19. Chuck Stiles është me sindikatën e punonjësve “International Brotherhood of Teamsters”.
“Mësuam më vonë se punonjësve që iu tha të vetëizolohen dhe testuan negativë, u detyruan të përdorin ditët e tyre të pushimit për të kompensuar mungesat. Kjo është nxitje për shkuar në punë i sëmurë.”
Sindikata po i kërkon kompanisë që jetë më transparente lidhur me numrin e punonjësve të infektuar. Mbështetësit e punonjësve thelbësorë thonë se rreziku i infektimit vlen më shumë se një falenderim.
David Biderman është me shoqatën kombëtare të Amerikës së Veriut që merret me industrinë e plehrave të ngurta.
“Në disa qendra, punëdhënësit u kanë ofruar punonjësve paga shtesë për çdo orë. Kjo bën përjashtim dhe nuk është rregull i industrisë.”
Dynita Glenn është punonjëse e një qendre për grumbullimin e plehrave në Virxhinia.
“Punonjësit e meritojnë këtë pagesë. Ka të bëjë me punën që është shtuar çdo ditë, jo vetëm në zonat e banuara por edhe me bizneset. Ka raste që kjo punë nuk është shumë e këndshme.”
Megjithatë, zonja Glenn e ka ruajtur sensin e shërbimit dhe humorin.
“Jemi gjithmonë në dispozicion dhe kurrë nuk do të refuzojmë shërbimin tonë. Çdo ditë gjatë gjithë ditës flasim për plehrat.”
Facebook Forum