Lidhje

Kryeprokurori Barr lavdëron arritjet e operacionit Legjenda për uljen e krimit në qytetet e mëdha amerikane


UASHINGTON - Prokurori i Përgjithshëm William Barr thotë se një iniciativë e nisur së fundmi nga qeveria federale dhe e mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të luftuar krimin, ka ndihmuar në uljen e dhunës në disa qytete të mëdha amerikane, duke shkurtuar javët e fundit, gjysmën e numrit të vrasjeve në Çikago.

"Së bashku, forcat federale, lokale dhe shtetërore në Çikago që po punojnë si pjesë e operacionit Legjenda dhe grupet e përbashkëta të punës kanë ulur nivelin e rrezikshëm të dhunës", tha zoti Barr të mërkurën gjatë një konference shtypi në qytetin e Çikagos.

Programi i Departamentit të Drejtësisë, i njohur si operacioni Legjenda, u prezantua në fillim të korrikut për të ndihmuar qytetet amerikane që të përballojnë një rritje të krimit dhe dhunës me armë, pas një rënie gjatë muajve të parë të pandemisë së koronavirusit. Sipas operacionit, më shumë se 1.000 agjentë federalë janë vendosur në nëntë qytete kryesore për të punuar së bashku me oficerët lokalë e shtetërorë të zbatimit të ligjit.

Ndërsa ka bërë fushatë për rizgjedhje, presidenti Trump ka reklamuar suksesin e operacionit Legjenda për uljen e krimit në qytete të drejtuara nga kryebashkiakët demokratë, duke nxitur kritika se ai dhe zoti Barr po dislokojnë mjete policore për të çuar përpara objektivat elektorale të presidentit kundër rivalit të tij demokrat, ish-Nënpresidentit Joe Baiden. Prokurori i Përgjithshëm Barr e ka hedhur poshtë akuzën.

Rezultatet në Çikago

Në Çikago, zoti Barr tha se efekti i operacionit Legjenda është ndjerë në mënyrë të ashpër në qytetin e tretë më të populluar në vend, ku shkalla e vrasjeve në fund të korrikut, kur filloi operacioni, u rrit me 51% krahasuar me vitin e kaluar. Përveç vendosjes së më shumë se 400 agjentëve federalë në qytet, tha zoti Barr, Departamenti i Drejtësisë i ka siguruar Departamentit të Policisë së Çikagos më shumë se 12 milionë dollarë.

Sipas kryeprokurorit Barr, gjatë operacionit Legjenda janë bërë më shumë se 2,500 arrestime në nëntë qytete, janë ngritur akuza federale kundër 600 të pandehurve. Në Çikago, më shumë se 500 njerëz janë arrestuar si pjesë e operacionit, 124 prej tyre po përballen me akuza federale, kryesisht për vepra penale që kanë të bëjnë me armë zjarri dhe drogë.

"Rezultatet e këtyre veprimeve flasin vetë", tha zoti Barr. “Gjatë pesë javëve të para të operacionit Legjenda, vrasjet ranë me 50% në krahasim me pesë javët e mëparshme. Në gusht pati një rënie prej 45% të vrasjeve krahasuar me korrikun dhe një rënie prej 35% krahasuar me qershorin”.

Sipas të dhënave të Policisë së Çikagos, pavarësisht nga rënia e fundit, vrasjet mbeten rreth 50% më të larta se një vit më parë. Në incidentin e fundit, një vajzë 8-vjeçare u qëllua dhe u vra ndërsa po hipte në një makinë me anëtarët e familjes gjatë fundjavës së Ditës së Punës.

Sipas kriminologëve, shkalla e krimit luhatet për shkak të një numri faktorësh, dhe zoti Barr theksoi se ai nuk po ia atribuonte tërësisht Operacionit Legjenda rënien e vrasjeve.

Çikago vlerëson përpjekje e veta

Sidoqoftë, zyrtarët e Çikagos, të cilët nuk pranuan të merrnin pjesë në konferencën për shtyp të zotit Barr, ia kanë atribuar uljen e fundit të dhunës, strategjisë së tyre të luftimit të krimit, pa pranuar rolin e operacionit Legjenda.

"Shtatë javë të riorganizimit që unë vendosa nën mandatin tim kanë rezultuar në një ulje prej 50% të vrasjeve dhe një ulje 18% të të shtënave", tha kreu i Policisë së Çikagos, David Brown në një konferencë shtypi të martën.

Duke vërejtur refuzimin e zyrtarëve të Çikagos për të njohur rolin e operacionit Legjenda, prokurori i përgjithshëm tha, "Pra, kjo është mënyra si funksionojnë gjërat këtu në Çikago."

I pyetur të mërkurën nëse ndan pikëpamjen e zotit Trump se dhuna në Çikago kishte të bënte me udhëheqjen demokrate të qytetit dhe shtetit, zoti Barr nuk pranoi të komentonte.

"Kam vërejtur se përbërësit më të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë dhe trajtimin e krimit të dhunshëm janë një forcë e fortë policie, një prokuror distrikti që është i orientuar të heq nga rruga shkelësit e dhunshëm dhe mbështetja e komunitetit të forcave të zbatimit të ligjit nga udhëheqësit politikë, si kryetari i bashkisë dhe guvernatori”, tha zoti Barr.

Operacioni Legjenda mori emrin e një djali 4-vjeçar i cili u vra në qytetin e Kansasit në qershor. Zoti Barr tha se iniciativa ka ndihmuar në zvogëlimin e krimit të dhunshëm në qytetitn e Kansasit si dhe disa qytete amerikane.

Iniciativa nuk ka lidhje me vendosjen në qershor dhe korrik të agjentëve federalë në qytetin e Portlandit në shtetin e Oregonit, ku ata u akuzuan për përdorimin e forcës së tepruar kundër demonstruesve pranë një gjykate federale dhe rrëmbimin e protestuesve nga rrugët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG