Lidhje

SHBA: Një fotografe e drejton lenten tek bizneset e vogla gjatë pandemisë 


Në Shtetet e Bashkuara, bizneset e vogla janë goditur veçanërisht rëndë nga pandemia e koronavirusit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov shkruan për një fotografe në Uashington, e cila me aparatin e saj fotografik po dokumenton rrugëtimin e tyre të vështirë në krizën ekonomike.

Berbere, pronare rrobash të përdorura, organizues koncertesh dhe pronare e një dyqani grek ëmbëlsirash…Edhe para pandemisë, atyre u duhej të punonin shumë për të mbajtur bizneset e tyre, por izolimi i detyroi të mbylleshin përkohësisht.

SHBA, Pandemia godet më rëndë shtetet e vogla
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Por disa prej tyre ia kanë dalë t’i ruajnë bizneset. Historitë e tyre frymëzuan fotografen nga Uashingtoni, Violetta Markelou.

“Mua më duket se të humbësh punën, gjithë kontratat, të jesh në telefon me zyrën e ndihmës sociale, është shumë stresuese të kesh një ngarkesë të tillë. Nuk pashë askënd në media t’i kushtonte vëmendje kësaj teme, t’u kushtohej vëmendje pronarëve të bizneseve të vogla,” thotë ajo.

Kështu filloi projekti i zonjës Markelou.Çdo fotografi shoqërohet nga historia e njerëzve pas bizneseve dhe si i mbijetuan krizës së pandemisë.

Erica Riggio dhe Angela Justice, janë bashkëpronare të një biznesi për dekorimin e shtëpive.

“Ne jemi një kompani e vogël dhe punonjësit janë si familje për ne dhe ne na duket sikur nuk po mbajmë dot familjen tonë, në mënyrë të vërtetë dhe të figurshme. Sikur gjithçka kishte ngecur. Ne bëjmë si çdo sipërmarrës, gjejmë mënyra krijuese për të dalë nga situata. Nuk kishim kohë për të humbur”, thotë bashkëthemeluesja e kompanisë “Green Owl Design”, Angela Justice.

Erica Riggio thotë se kriza i mësoi diçka të dobishme.

“Ne filluam të ofrojmë shërbime virtuale. Gjatë kësaj kohe e vendosëm biznesin tonë në internet dhe ishte diçka shumë e mirë. Pati një anë pozitive kjo gjendje. Mua më duket sikur kemi arritur shumë, kemi rishikuar sistemet tona, kemi menduar se çfarë mund të përmirësojmë, cilat janë rolet dhe përgjegjësitë tona”, thotë ajo.

Louie Hankins, pronar i një restoranti latino-amerikan, shpresonte që të lante borxhet e bizneseve të tij në vitin 2020. Pandemia e shtyu afatin e këtij synimi. Ai gjithsesi është mirënjohës.

“Ndjehem me fat që jam ende këtu, që i kam dyert e restorantit të hapura, që jam në gjendje të mbaj punonjësit e mi, t’i ndihmoj të sigurojnë jetesën dhe të mbajnë familjet”, thotë ai.

Zonja Markelou thotë se foto-esetë e saj shprehin shumë: nga dëshpërimi tek shpresa, puna dhe frymëzimi.

“Dua që njerëzit t’i kuptojnë vështirësitë e bizneseve të vogla, se ç’kanë përjetuar ato gjatë pandemisë. Nuk është e lehtë të mbyllësh dyert dhe t’i hapësh përsëri”, thotë ajo.

Në vitin 2019, në Uashington kishte rreth 28,000 biznese me deri në 50 punonjës, sipas Zyrës së Statistikave të Punës. Kjo përbënte rreth një të tretën e krahut të punës së qytetit, para se të fillonte kriza e koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG