Republikanët po inkurajojnë amerikanët që të votojnë për Presidentin Donald Trump, nga qyteti Sharlot në Karolinën e Veriut,ku pandemia i ka detyruar ata të kufizojnë në mënyrë dramatike aktivitetet në kuvendin e tyre kombëtar. Edhe pse pandemia ka tronditur bizneset amerikane, ka shumë njerëz që thonë se ata ende kanë besim në aftësinë e presidentit për të rikthyer begatinë ekonomike.
Gjatë gjithë pandemisë së koronavirusit dhe fushatës së tij për rizgjedhje, Presidenti Trump është përqendruar në premtimin për ringjalljen e ekonomisë ndërsa ka denoncuar qasjen ekonomike të rivalit të tij demokrat Joe Biden.
"Biden tha një ditë më parë se do ta mbyllte ekonominë....ne sapo kemi thyer rekordin në krijimin e vendeve të punës. Kemi thyer rekordin e të gjitha kohërave. Nuk ka patur asnjë tremujor në të cilin ne nuk kemi kthyer më shumë njerëz në punë. Kemi punësuar mbi 9 milionë njerëz. Ne jemi gati të thyejmë përsëri rekordin e të gjitha kohërave të tregut të aksioneve, që do të pasohej nga çdo gjë tjetër", tha Presidenti Trump.
Delegatët që zyrtarisht riemëruan Presidentin Trump si kandidat të republikanëve për një mandat të dytë presidencial, thonë se besojnë në aftësinë e tij për të rritur ekonominë amerikane.
"Para pandemisë, ekonomia ishte shumë e fortë. E dini që kemi patur nivel të ulët rekord të papunësisë. Tregu i aksioneve po shënonte rritje rekord çdo ditë, ekonomia është vërtetë e fortë në të gjitha aspektet. Kjo pandemi është e përkohshme, me kalimin e kohës do të përfundojë dhe bizneset do të rifillojnë punën përsëri. Pra, pyetja është kush ka përvojë për të rindërtuar ekonominë?" tha John Steward, delegat republikan nga Karolina e Veriut.
Edhe delegatët që nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në kuvend për shkak të protokolleve të distancimit fizik thonë se nuk e fajësojnë presidentin për nivelin aktual të papunësisë.
"Unë nuk mendoj se njerëzit domosdoshmërisht po e fajësojnë presidentin, më shumë sesa mbylljen për shkak të Covid-19", tha Sarah Reidy-Jones, delegate republikane nga Karolina e Veriut.
Disa pronarë të bizneseve në industrinë e hotelerisë, restoranteve dhe argëtimit në Sharlot të Karolinës së Veriut, të cilët shpresonin në rritjen e të ardhurave nga Kuvendi Kombëtar i Republikanëve thonë se ata ende kanë besim në aftësinë e Presidentit Trump për të rimëkëmbur ekonominë.
"Unë mendoj se ekonomia është duke ecur mirë. Duke marrë parasysh gjërat me të cilat po ndeshemi, unë mendoj se jemi në një pozicion të mirë tani nga pikëpamja ekonomike. Më pëlqejnë politikat ekonomike të Presidentit Trump. Mendoj se do të ishte mirë nëse Presidenti Trump do të postonte më pak në Twitter. Unë mendoj se ai ka bërë një punë fantastike në muajin e fundit", tha Vinay Patel, pronar i Hotelit Sree.
Por punëtorët e hoteleve dhe restoranteve janë goditur më rëndë nga pandemia. Kjo industri ka njoftuar se më shumë se 25 për qind e fuqisë së saj punëtore është e papunë. Kjo përbën rreth një të tretën e të gjitha humbjeve të vendeve të punës në ekonominë amerikane.
"Unë mendoj se e vetmja mënyrë për rimëkëmbjen e ekonomisë është mposhtja pandemisë. Prandaj, ne, si vend, duhet së pari ta bëjmë këtë”, tha Tom Sasser nga Kompania Burke Hospitality.
Presidenti Trump do të vazhdojë të flasë për planet e tij para popullit amerikan ndërsa kuvendi republikan vazhdon aktivitetet pothuaj tërësisht virtuale gjatë kësaj jave.
Facebook Forum