Universiteti Johns Hopkins njoftoi sot 23.2 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën dhe më shumë se 804 mijë vdekje që nga fillimi i pandemisë. SHBA vazhdon të jetë në krye për nga numri i infeksioneve me 5.6 milionë raste.
Por sipas zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë numri i infeksioneve mund të jetë 10 herë më i madh se sa është raportuar, kjo për shkak të mungesës së testimit dhe raportimit. Ndërkohë të shtunën Presidenti Donald Trump, akuzoi punonjësit e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave se po punojnë për të ngadalësuar testimin e vaksinave kundër COVID-19 duke e lënë atë qëllimisht pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në një postim në twitter zoti Trump shkruante se ngadalësimi është pasojë e të ashtuquajturit "shtet brenda shtetit", një teori konspiracioni sipas së cilës brenda sistemit politik amerikan ka një komplot nga një qeveri e fshehur brenda qeverisë së zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Por Presidenti nuk ofroi ndonjë provë lidhur me këtë pohim të tij.
Komentet e zotit Trump pasojnë një artikull të botuar nga agjencia “Reuters” të enjten ku thuhej se një zyrtar i lartë i Administratës së Ushqimit dhe Barnave kishte bërë të ditur se do të largohej nga detyra nëse administrata Trump miratonte një vaksinë përpara se ajo të shpallej e sigurt dhe efektive.
Kryetarja e Dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi u tha gazetarëve të shtunën në Kongres se presidenti Trump bëri një "deklaratë të rrezikshme" për punonjësit e kësaj agjencie dhe se sjellja e tij ishte e papranueshme.
Facebook Forum