Autoritetet federale dhe lokale kanë arrestuar afro 1, 500 vetë në kuadër të një iniciative të përbashkët të luftës kundër krimit të nisur muajin e kaluar në qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara që po ndeshen me një rritje të vrasjeve dhe të shtënave me armë, njoftoi të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm William Barr.
Arrestimet ishin pjesë e Operacionit “Legend”, një iniciativë e koordinuar që mori emrin e katër vjeçarit LeGend Taliferro, që u vra me armë zjarri në fund qershorit ndërsa po flinte në shtëpi në qytetin Kansas City.
Operacioni nisi në Kansas City më 8 korrik dhe që atëherë është zgjeruar në tetë qytete të tjera. I dyshuari për vrasjen e katër vjeçarit Taliferro u arrestua javën e kaluar.
"Ky arrestim nuk do ta rikthejë LeGend-in, por e bën rastin e tij një shembull se si mund të bashkohemi për të hequr kriminelët e dhunshëm nga rrugët dhe për t'i bërë komunitetet tona më të sigurta", tha Barr në një konferencë për shtyp në Kansas City, ku ishin të pranishëm nëna e katër vjeçarit të vrarë Taliferro dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit nga i gjithë vendi.
Operacioni “Legend” nuk ka lidhje me dislokimin e debatueshëm të agjentëve federalë të zbatimit të ligjit në Portland të Oregonit. Zyrtarët thonë se agjentët u dërguan atje për të mbrojtur një gjykatë federale nga protestuesit të cilët administrata Trump i kishte akuzuar për sulm ndaj pronave federale dhe oficerëve federalë.
Në kuadër të Operacionit “Legend”, qeveria amerikane deri më tani ka dislokuar më shumë se 1,000 agjentë federalë në nëntë qytete për të punuar me zyrtarët lokalë të zbatimit të ligjit, tha Prokurori i Përgjithshëm Barr. Agjentët vijnë nga FBI-ja, DEA, ATF-ja dhe Shërbimi Marshals.
Nga afro 1,500 të arrestuar deri më tani në kuadër të Operacionit “Legend”, rreth 217 janë akuzuar për krime federale, sipas Departamentit të Drejtësisë. Çikago ka parë numrin më të madh të arrestimeve federale, me 61 persona të akuzuar për një sërë shkeljesh të ligjeve federale duke filluar nga ato me armë deri tek krimet e drogës.
Operacioni “Legend” u organizua nga Prokurori i Përgjithshëm Barr mes rritjes së sulmeve të dhunshme me armë dhe vrasjeve në qytetet kryesore të Amerikës muajve të fundit. Megjithatë, niveli i përgjithshëm i krimit në Shtetet e Bashkuara mbetet ende nën kulmin e arritur në fillim të viteve 1990.
William Barr, i cili shërbeu për herë të parë në postin e Prokurorit të Përgjithshëm nga viti 1991 deri në vitin 1993, tha se rënia e krimit të dhunshëm në dekadat e fundit ishte rezultat i iniciativave që ai i filloi atëherë kundër organizatave të paligjshme të drogës, bandave dhe krimeve me armë, si dhe rritjes së bashkëpunimit midis autoriteteve federale dhe atyre lokale.
Gjatë dy viteve të fundit të Administratës Obama, 2015-2016, pati një rritje të krimeve të dhunshme, tha Prokurori Barr. Por administrata Trump ndihmoi në ndryshimin e kësaj prirjeje, shtoi ai.
Shumica e ekspertëve të krimit besojnë se luhatjet në shkallën e krimit nuk kanë të bëjnë fare me politikat federale, duke theksuar rolin e kufizuar të qeverisë federale në fushën e zbatimit të ligjit në një vend me rreth 18,000 agjenci ligjzbatuese.
Ekspertët e kriminalistikës thonë se disa faktorë mund të jenë prapa rritjes së fundit të nivelit të krimeve të dhunshme. Mes tyre janë moti i ngrohtë i verës, rritja e numrit të njerëzve që dalin në rrugë ndërsa shtetet rihapin ekonomitë e tyre, dhe rënia e vazhdueshme e besimit të publikut në forcat e zbatimit të ligjit pas protestave kundër vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis, në muajin maj.
Facebook Forum