Lidhje

SHBA: Pacientët e vegjël rikthehen me kujdes në klinikat pediatrike 


Ndërsa në Shtetet e Bashkuara vazhdon debati për rihapjen e shkollave, mes shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit, prindërit kanë filluar të tejkalojnë deri në një farë mase frikën dhe t’i çojnë fëmijët tek mjekët pediatër për kontrolle rutinë dhe vaksinime. Korrespondentja, Celia Mendoza shkoi në një klinikë në qytetin Paterson të Nju Xhërsit, ku Zërit të Amerikës iu dha mundësia që të vëzhgojë protokollet e sigurisë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Pediatrja Gloria Mejía Ramírez është pjesëtare e një familjeje mjekësh nga Rioacha e Kolumbisë, që ka themeluar një klinikë pediatrike në Paterson të Nju Xhërsit, 30 vjet më parë.

Në kulmin e pandemisë, klinika i bëri vizitat në distancë, përmes telemjekësisë.

Tani mjekët po i vizitojnë pacientët në klinikë, por me masa të rrepta mbrojtjeje.

"Një nga ndryshimet është se vizitat me pacientët po bëhen vetëm të planifikuara. Nuk mund ta kemi plot dhomën. Mund të vijnë vetëm tetë pacientë me të afërmit. Në hyrje, u masim temperaturën, dera mbahet e mbyllur, ndryshe nga më parë. Po ashtu, kemi vendosur një panel prej qelqi për të ndarë sallën e pritjes nga personeli i recepsionit”, thotë dr. Gloria Mejia Ramirez.

Doktor Edgar Mejia thotë se një nga shqetësimet kryesore të tij ka qenë për fëmijët e shëndetshëm që kanë nevojë për kontrolle të përvitshme dhe vaksina.

“Na duhej të vizitonim fëmijët, sidomos më të vegjlit, për t’u bërë vaksinat. Duhet të shmangim sëmundjet e tjera, nëse nuk duam të kemi pandemi të tjera, që tani janë nën kontroll. Prandaj po i bindnim pacientët të vinin në klinikë”, thotë ai.

Klinika si ajo e Patersonit kanë filluar të vizitojnë pacientë dhe 80 prej tyre vijnë në ditë. Mjekët thonë se ky numër është rezultat direkt i përpjekjeve që janë bërë për të garantuar sigurinë e të miturve.

Prindërve iu desh një farë kohe që të ndjeheshin të sigurt të sillnin fëmijët.

"Mendonim, mund të infektohemi ne, ose fëmijët, por me masat që janë marrë, çdo gjë është në rregull”, thotë Marcia Isabel Rojas.

Ajo ka tre fëmijë dhe nuk është ende e sigurt nëse gjendja është përmirësuar mjaftueshëm për të hapur shkollat.

Dr. Mejia Ramirez thotë se maskat dhe distancimi fizik, janë bërë pjesë e jetës së fëmijëve.

“Fëmijët mbi dy vjeç, tashmë e shohin maskën si pjesë të veshjes. E përdorin sa herë duhet. Janë të vetëdijshëm. Ndonjëherë më pyesin: ‘Doktoreshë, mund të shkoj tek liqeni?’, për gjëra të thjeshta”, thotë ajo.

Nuk është e qartë se për sa kohë fëmijët do të duhet të përdorin masat mbrojtëse dhe se cilat do të jenë përmasat e ndikimit të pandemisë për ta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG