Ndërsa Shtetet e Bashkuara tejkaluan pesë milionë raste të konfirmuara të koronavirusit, bisedimet në Kongres për një projekt-ligj të ri që do të lehtësonte barrën financiare në situatën e krijuar, mbeten të bllokuara, duke bërë që Presidenti Donald Trump të nënshkruante në fundjavë urdhra ekzekutivë.
Në mungesë të legjislacionit të ri në Kongres, Presidenti Trump këtë fundjavë nënshkroi urdhra ekzekutivë duke premtuar një lehtësim ekonomik për të papunët, por duke e transferuar përgjegjësinë financiare tek shtetet individuale.
"Jam duke ndërmarrë veprime për të zgjatur asistencën e papunësisë me 400 dollarë në javë. Kjo është një shumë bujare. Ne duam të kujdesemi për njerëzit tanë. Nuk ishte faji ynë. Ishte faji i Kinës. Shteteve do t'u kërkohet të mbulojnë 25 për qind të kostove duke përdorur fondet ekzistuese", tha presidenti.
Demokratët, të cilët kanë kërkuar të mbajnë një përfitim prej 600 dollarësh në javë për të paktën 18 milionë amerikanë të papunë, thonë se urdhri nuk bën sa duhet.
"Fatkeqësisht, urdhrat ekzekutivë të presidentit mund të përshkruhen me një fjalë, të pavlefshme - me tre fjalë të paqarta, të dobëta dhe shumë të ngushta. Konferenca në Klubin e Golfit është ajo që vetëm Trumpi e bën - një shfaqje e madhe por pa zgjidhur asgjë", tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer.
Urdhri gjithashtu përfshin shtyrjen e taksave mbi të ardhurat individuale, por nuk mbron amerikanët në rrezik për t’u dëbuar nga banesat e tyre.
“Nuk u miratuan fonde për të ndihmuar me zgjedhjet, për të ndihmuar për votimin me postë, shumë pak para ose aspak për të ushqyer fëmijët dhe asnjë ndihmë e vërtetë për ata që mund të dëbohen. Urdhrat ekzekutivë lënë jashtë shumë gjëra,” tha zoti Schumer.
Por administrata Trump pohon se veprimi i saj i shpejtë ishte i domosdoshëm për shkak të bllokimit të bisedimeve në Kongres.
"Demokratët kundërshtuan kompromise të ndryshme, të paktën dy herë në dijeninë time. Presidenti duhej të vepronte dhe do të jetë veprim në kohë. Do të jetë veprim i përkohshëm për të qenë të sigurtë", tha Larry Kudlow, këshilltar ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Disa kritikë kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e urdhrave ekzekutivë të presidentit Trump dhe parashikojnë padi që sfidojnë autoritetin e saj.
Sipas ligjit amerikan, Kongresi duhet të miratojë legjislacionin e shpenzimeve. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin i tha rrjetit Fox News të dielën se veprimet e presidentit u miratuan nga këshilltarët e tij ligjorë.
Facebook Forum