Kongresi amerikan po përpiqet të sigurojë fonde për të parandaluar humbjen e shtëpive për ata që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Qeveria ka ndihmuar shumë qiramarrës në Virxhinia, por një pjesë e tyre po përballen me dëbim pasi moratoriumet shtetërore dhe federale kanë skaduar. Në mesin e tyre është edhe një familje nga qyteti i Aleksandrisë në Virxhinia.
Sami Bourma, një shtetas amerikan me origjinë nga Sudani, dikur fitonte gjashtë mijë dollarë në muaj duke bërë tre punë të ndryshme. Tani ai është i papunë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
"Unë jam katër muaj mbrapa me qiranë. Gjithçka që kemi tani është nga ndihma qeveritare për papunësinë. Po përpiqem të kem pak rezerva për çdo emergjencë me fëmijët."
"Kam frikë të humbas banesën time. Qiraja është shumë e lartë. Ne po presim lindjen e një fëmije dhe duhet të kujdesemi për fëmijët tanë të tjerë", thotë bashkortja e Samiut, Laila Mohamene.
Megjithëse Samiu ka marrë 758 dollarë në javë nga përfitimet e papunësisë, kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për të paguar qiranë në kompleksin e tij të apartamenteve. Kompleksi i apartamenteve Southern Towers nuk u kualifikuan për mbrojtje nën moratoriumin kombëtar tani të skaduar të dëbimit.
"Masat që parandalojnë dëbimet dhe tarifat që lidhen me pagesa e vonuara nuk janë të përfshira në Ligjin e Kujdesit", tha Mary Horner nga firma Shërbimet Ligjore të Virxhinias Veriore.
Bell Partners, kompania që administron pronën, thotë se po ndihmon qiramarrësit duke hequr dorë nga tarifat e vonuara dhe duke zgjatur afatet e parashikuara të pagesave. Megjithatë, pas skadimit të moratoriumit të shtetit të Virxhinias në qershor, firma dorëzoi një kërkesë në gjykatë për dëbimin e familjes së Samiut.
Në gjykatë, ai tregoi prova se ishte pushuar nga puna. Kjo i dha atij kohë shtesë.
“Një masë mbrojtjeje e miratuara kohët e fundit në Virxhinia, lejon gjykatat që t’u japin 60 ditë kohë shtesë qiramarrësve që kanë humbur vendet e punës dhe të ardhurat për shkak të Covid-19, nëse ata kanë qenë të rregullt në pegesat e qirasë para pandemisë", tha Mary Horner nga firma Shërbimet Ligjore të Virxhinias Veriore.
Autoritetet lokale janë nën presion dhe po nxitojnë të ndihmojnë familjet si ajo e Samiut.
"Për ne është shumë më pak e kushtueshme dhe më pak tragjike që një familje të mbetet në shtëpinë e tyre dhe të mos dëbohet sesa zhvendosja e tyre", tha Melodie Seau nga Zyra e Strehimit në Aleksandria.
Kërcënimi në nivel vendi i dëbimit nga banesat është i madh. Rreth 28 milionë qiramarrës dhe 16 milionë pronarë të shtëpive janë në rrezik, thotë firma e investimeve në pasuritë e patundshme Amherst Capital.
Në Virxhinia, më shumë se një milion familje përballen me pasiguri strehimi, thotë senatori demokrat Mark Warner, duke theksuar se qiramarrësit më të prekur ka shumë të ngjarë të jenë punonjës në industritë më të goditura nga pandemia, si dyqanet e shitjes me pakicë dhe hotelet.
Qiramarrësit në ndërtesën e Samiut, shumë prej tyre emigrantë afrikanë, marrin ndihmë nga grupe të ndryshme përfshirë organizatën Komunitetet Afrikane Së Bashku.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë qira kur nuk punojnë. Ne duam një lloj drejtësie për strehimin, ku qiraja duhet të jetë në përpjesëtim me të ardhurat e njerëzve", tha Bert Bayou nga organizata Komunitetet Afrikane së Bashku.
Përveç qirasë së papaguar, Samiu ka grumbulluar edhe borxhin e kartës së kreditit. Puna si shofer taksie për kompaninë Uber mund ta ndihmojë atë, por ai ka frikë ta sjellë koronavirusin në apartamentin e tij me një dhomë gjumi. Ndërsa kërkon një vend pune, ai përpiqet të mos kalojë në dëshpërim.
"Shpresoj që puna ime të kthehet shpejt. Nëse nuk ndodh, një gjë për të cilën mendoj çdo ditë, kjo do të jetë e tmerrshme sepse nuk di se ku do të shkoj”, tha ai.
Facebook Forum