Diagramet informuese, kontrollet e temperaturës në hyrje, llambat infra të kuqe dhe ashensorët që aktivizohen me aplikacione celularësh, hapësirat e zyrave pas pandemisë së koronavirusit do të ndryshojnë në mënyrë dramatike, thonë ekspertët. Ndërsa shumica e zyrave në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë bosh pasi njerëzit vazhdojnë të punojnë nga shtëpia, arkitektët janë të zënë me punën e krijimit të standardeve të reja të zyrave.
Kompania e pasurive të patundshme, JBG SMITH aktualisht po ndërton selinë e korporatës Amazon të quajtur HQ2 në Virxhinian veriore. Ndërtuesi së fundmi prezantoi planin e tij për mënyrën se si punonjësit e amerikanë mund të kthehen në zyrë në mënyrë të sigurt.
"Nëse ju shikoni planin tonë, është vendosur që ai të jetë qëllimisht vijues. Pra, ne fillojmë në pikën e arritjes dhe në të gjitha hapat vijues ne kemi shtuar shenja të ndryshme”, tha David Ritchey, nënpresident i kompanisë JBG Smith.
Hapësirat e mëdha publike shqetësojnë më shumë specialistët. Çdo ditë, qindra njerëz shtypin butonat e ashensorëve dhe prekin dorezat e dyerve në zonat kryesore të zyrave. Aplikacionet e posaçme të celularëve për punonjësit mund t’i ndihmojnë ata të përdorin ashensorin pa prekur butonat e tij.
"Do të ketë ndryshime të përhershme. Disa nga gjërat kryesore që ne po hulumtojmë janë ato që ne i quajmë "pika prekëse të ndërtesës". Pra, hyrjet, ashensorët, tualetet dhe zonat përreth. Gjithçka që ne po eksplorojmë tani ka të bëjë me minimizimin e prekjes së gjërave", tha Andrew Bennett nga Instituti Amerikan i Arkitektëve.
Para pandemisë, detyra kryesore e ndërtuesve ishte krijimi i sa më shumë stacioneve të punës në një zyrë. Por realiteti i ri mund të çoj në ndryshimin e përparësive.
Punëtorët gjithashtu mund të inkurajohen të dalin jashtë zyrës më shpesh.
"Një nga prirjet më të mëdha në hartimin e planeve të zyrave pas pandemisë së koronavirusit do të jetë, dhe ne tashmë po shkojmë në këtë drejtim, krijimi i më shumë hapësirave jashtë ndërtesave! Ndërtuesit nuk kanë dashur të shpenzojnë para për shumë hapësirë jashtë ndërtesave për shkak të perceptimit se ato nuk përdoren, veçanërisht në Teksas, ku në verë temperaturat arrijnë në 43 gradë celsius", tha Andrew Bennett nga Instituti Amerikan i Arkitektëve.
Ekspertët e pasurive të patundshme thonë se kërkesat për hapësirë për zyra mund të ulen ndjeshëm pas pandemisë pasi shumë njerëz do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia dhe hapësirat ekzistuese të zyrave mund të kenë nevojë të përdoren për qëllime të tjera.
Shefi Ekzekutiv i kompanisë Twitter, Jack Dorsey tashmë ka njoftuar se i gjithë personeli i tij mund të punojë nga shtëpia pafundësisht, edhe pasi të ketë përfunduar pandemia. Gjigandët e tjerë të teknologjisë si Microsoft dhe Zillow pritet të ndjekin hapin e njejtë.
"Ne jemi pak të shqetësuar se njerëzit nuk do të ndërtojnë më ndërtesa. Por njerëzit do të fillojnë të mendojnë se si mund të transformojnë hapësirat ekzistuese”, tha Andrew Bennett nga Instituti Amerikan i Arkitektëve.
Ndryshimet në hapësirën e zyrave do të çojnë edhe në ndryshime të banesave. Gjatë kësaj pandemie, shumë njerëz u detyruan të punonin në dhomat e gjumit dhe kuzhinat e tyre.
Por në një të ardhme të afërt arkitektët do të fillojnë të projektojnë apartamente dhe shtëpi me hapësira të detyrueshme për zyra.
Facebook Forum