Për shkak të pandemisë së koronavirusit, demokratët në Shtetet e Bashkuara do të organizojnë kuvendin e tyre partiak përmes platformës dixhitale. Komiteti për Kuvendin Demokratik Kombëtar njoftoi muajin e kaluar vendimin, duke thënë se delegacionet e partiake të shteteve nuk do të mblidhen në Miuaki. Megjithatë, ky qytet organizator do të shërbejë si qendra e transmetimeve të drejtpërdrejta për katër ditët e kuvendit. Në kuvendin e tyre demokratët zyrtarisht do të emërojnë kandidatin e tyre presidencial, që pritet të jetë ish nënpresidenti Joe Biden.
Pandemia e koronavirusit i detyroi demokratët që të ndryshojnë planet. Në vend që të organizojnë kuvendin e partisë në një sallë të mbushur me njerëz për të emëruar zyrtarisht ish nënpresidentin Joe Biden si kandidatin e tyre presidencial, demokratët do ta bëjnë këtë përmes një platforme dixhitale.
"Ne nuk dimë aq shumë për këtë virus, por ajo që kemi mësuar është se ai përhapet në ambiente të mbyllura, ku njerëzit janë afër njëri-tjetrit. Për këtë arsye nuk duhet organizuar një kuvend tradicional", tha Elaine Kamarck nga Instituti Brookings.
Mijëra delegatëve u është thënë të mos udhëtojnë në qytetin e Miuakit, në Uiskonsin. Drejtuesit e partisë demokrate do të jenë atje për punët e nevojshme për takimi në një platformë dixhitale. Në vend të stadiumit të basketbollit, ata do të përdorin një sallë më të vogël takimesh.
"Pra, përveç sfondit me njëzet mijë njerëz të ulur në një sallë të madhe, kuvendi do të vazhdojë të transmetohet në televizion", tha Elaine Kamarck nga Instituti Brookings.
Njoftohet se demokratët po planifikojnë të kenë programe të drejtëpërdrejta dhe të regjistruara që do të transmetohen nga qyteti i Miuakit për të mbushur aktivitetet katër ditore për transmetim televiziv në mbrëmje, që do të kulmojnë me fjalimin e zotit Biden, në të cilin ai zyrarisht do të pranojë emërimin si kandidat presidencial i partisë.
"Unë mendoj se kjo ofron një lloj sigurie për demokratët në aspektin e planifikimit dhe do t'u shërbejë atyre më mirë. Pra, demokratët kanë kohë të planifikojnë për këtë dhe të marrin në konsideratë teknologjitë e sofistikuara. Ata kanë lirinë dhe kohën për të bërë përpjekje për organizimin e një takimi sa më të mirë në një platformë dixhitale", tha Lara Brown nga Universiteti George Washington.
Në fillim të prillit, Demokratët shtynë kuvendin e tyre që ishte planifikuar të mbahej nga mesi i korrikut. Tani ai do të mbahet më 17 gusht, vetëm një javë para kuvendit republikan për të riemëruar si kandidat të tyre Presidentin Donald Trump, i cili insiston në organizimin e një kuvendi tradicional.
"Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme për partitë ka qenë që ato të emërojnë kandidatin e tyre para një turme të madhe me brohoritje dhe duartrokitje. Dhe në kohën e televizionit gjithmonë ka patur presion për ta bërë këtë", tha Jay Cost nga Instituti American Enpterprise.
Pasi guvernatori i shtetit të Karolinës së Veriut kërkoi nga pjesëmarrësit në kuvend që të përdornin maskat, republikanët vendosën të transferonin disa aspekte të kuvendit të partisë, përfshirë fjalimin e Presidentit Trump, në Xheksonvill të Floridës.
“Republikanët janë të ndarë në lidhje me takimet e punës për delegatët dhe tubimet për njerëzit. Por ekziston një problem jo vetëm në negociatat për ndarjen e veprimtarive në dy qytete, por ata gjithashtu po e vënë veten në një lloj rreziku të adaptimit në momentin e fundit. Dhe adaptimi brenda një kohe të shkurtër kur bëhet fjalë për teknologjinë është pothuajse gjithmonë një ide e keqe", tha Lara Brown nga Universiteti George Washington.
Në fund të qershorit, qyteti i Xheksonvillit e bëri të detyrueshëm përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura.
Facebook Forum