Gjykata e Lartë bllokoi të enjten përpjekjen një vjeçare të administratës Trump për t'i dhënë fund një programi që mbron nga dëbimi mijëra emigrantë pa dokumente, të cilët janë sjell në Shtetet e Bashkuara si fëmijë.
Vendimi i befasishëm 5-4, në favor të të cilit votoi kreu konservator John Roberts dhe katër gjyqtarë liberalë të gjykatës, do të thotë se programi i njohur si DACA, do të mbetet në fuqi për të ardhmen të pacaktuar, duke lejuar rreth 700,000 emigrantët pa dokumenta të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.
Programi u krijua në vitin 2012 me një urdhër ekzekutiv të Presidentit të atëhershëm Barack Obama. Përfituesit e programit DACA, të njohur si "ëndërrimtarët" dhe që janë kryesisht nga Meksika dhe Amerika Qendrore, u lejohet të marrin përfitime të tilla si sigurime shëndetësore dhe patentën e shoferit.
Por Presidenti Donald Trump, i cili bëri fushatë për t'i dhënë fund DACA-s dhe imigrimit të paligjshëm në vend, udhëzoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare në vitin 2017 që të eliminonte programin, duke e cilësuar atë të paligjshëm. Sfidat ligjore ndaj vendimit për të përfunduar DACAn u mbështetën nga gjykatat federale në disa shtete, duke bërë që administrate të kërkonte opinionin e Gjykatës së Lartë.
Në vend që të përcaktonte ligjshmërinë e DACA, Gjykata e Lartë vendosi që administrata dështoi të ofrojë arsyetimin e duhur për mbylljen e programit. Kjo do të thotë se çështja do t'i kthehet Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili do të duhet të ofrojë një arsyetim tjetër nëse do të vazhdojë përpjekjet për mbylljen e programit.
Facebook Forum