Gjykata e Lartë amerikane vëndosi të hënën se ligjet federale mbrojnë punonjësit LGBTQ nga diskriminimi, duke i dhënë një fitore të madhe komunitetit LGBTQ mes shqetësimeve për rënie të drejtave gjatë viteve të fundit.
Në një vendim historik 6-3, gjykata e kontrolluar nga konservatorët vëndosi që “një punëdhënës që heq nga puna një individ thjesht se është homoseksual apo transgjinor” shkel Titullin VII të Ligjit për të Drejtat Civile të vitin 1964.
Kreu i Gjykatës së Lartë, konservatori John Roberts dhe gjykatësi konservator Neil Gorsuch, i emëruar nga Presidenti Donald Trump në vitin 2017, ishin pjesë e vendimit të shumicës. Gjykatësi Brett Kavanaught, i emëruar nga Presidenti Trump, ishte mes tre gjykatësve kundër, duke argumentuar se çështja duhet të zgjidhej përmes legjislacionit.
Vendimi historik erdhi mes shqetësimeve se Gjykata e Lartë, ku pesë konservatorë kanë ndikim, do të tërhiqte mbrojtjen ligjore për pakicat, përfshi komunitetin LGBTQ. Në vitin 2018, gjykata vëndosi në favor të një ëmbëltoreje në Kolorado që refuzoi të gatuante një tortë martese për një çift të të njëjtit seks.
Megjithëse 21 shtete amerikane ndalojnë diskriminimin në bazë të orientimit seksual, nuk ka ligje egzistuese federale kundër këtij diskriminimi. Vendimi i Gjykatës së Lartë i jep fund veprave ligjore për të drejat e komunitetit LGBTQ dhe krijon mbrojtje kundër diskriminimit në të gjithë vendin.
Fitore historike
Mbrojtësit e të drejtave të komunitetit LGBTQ e përshëndetën vendimin, i cili erdhi pothuajse pesë vite pasi Gjykata e Lartë ligjëroi martesën mes homoseksualëve në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është fitore historike për barazinë LGBTQ” , tha në rrjetin Tweeter Alphonso David, president i Fushatës për të Drejtat e Njeriut.
Katy Joseph, me “Aleancën Ndërfetare” e quajti vendimin “një moment kulmor për barazi”.
Përmes një deklerare Joseph u shpreh, “Shumë shpesh punëdhënësit tejkalojnë kufinjtë e lirisë fetare personale – të drejtën për besuar sipas dëshirës – për të imponuar besimet e tyre mbi të tjerët përmes vendimeve për punësim dhe kulturës në punë. Mospranimi i aplikantëve për punë nga komuniteti LGBTQ, ose heqja e tyre nga puna si rezultat i identitetit të tyre, nuk është liri fetare, është diskriminim.
Tony Perkins me Këshillin për Hulumtime Familjare nuk u pajtua me vendimin.
“Lejimi i gjyqëtarëve të rishkruajnë Aktin e Lirive Civile për të shtuar identitetin gjinor dhe orientimin seksual përbën një kërcënim të madh ndaj lirisë fetare. Kemi parë gjatë viteve të fundit se si gjykatat kanë përdorur ripëcaktimin e fjalëve si një taktikë për të shtypur bizneset me bazë fetare dhe organizatat”, tha zoti Perkins.
Ligji për të Drejtat Civile i vitit 1964 e bën të paligjshëm për punëdhënësit që të diskriminojnë punonjësit për shkak të gjinisë, ngjyrës së lëkurës, besimit apo origjinës kombëtare.
Pyetja para gjyqëtarëve ishte nëse shprehja “për shkak të gjinisë” mund të aplikohej tek orientimi seksual i punonjësve LGBTQ. Në vitin 2015, Komisioni për Mundësi të Barabarta Punësimi, nën administratën e Presidentit Obama, vendosi që kjo mund të aplikohej.
Pikpamjet e kundërta
Administata e Presidentit Trump ka zgjedhur pikpamjet e kundërta, duke marrë anën e punëdhënësve në tre çështje të diskriminimit, që fjala “gjini” nuk “përfshin orientimin seksual”.
Që nga viti 2007, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan kanë miratuar legjislacione konkuruese që do të ndalonin diskriminimin me baza të orientimit seksual. Por një projektligj ende nuk është miratuar nga të dy dhomat e Kongresit, duke penguar që legjislacioni të shkojë në tryezën e presidentit për miratim.
Vitin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Aktin e Barazisë me një votë 236-173. Zonja Joseph tha se është koha që Senati të bëjë punën e tij.
Facebook Forum