Më 9 maj 1960, Administrata amerikane e Ilaçeve dhe Ushqimit miratoi kontraceptivin e parë që merrej në formë tablete për të kontrolluar shtatazanitë. Kontraceptivi, i njohur gjerësisht si “pilula” konsiderohet një zhvillim revolucionar nga shumë, megjithatë 60 vjet pas miratimit të tij në shumë vende të botës gratë nuk arrijnë ta sigurojnë ilaçe apo mjete për të marrë nën kontroll të drejtat e riprodhimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni ka biseduar me ekspertë dhe përgatiti materialin:
Pilula kontraceptive u quajt një shpikje reveolucionare: me një tabletë në ditë, gratë mund të kontrollonin kur të bënin fëmijë:
“Ndryshoi rrënjësisht trajektoren e të drejtave të grave duke u dhënë atyre kontroll dhe duke i hapur rrugën një revolucioni ekonomik e social,” thotë Monica Kerrigan e Organizatës Globale “Prindër me Plan”.
Më 9 maj 1960, Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet miratoi tabletën e parë komerciale për të kontrolluar shtatzaninë. Ndryshe nga format e tjera për të kontrolluar lindjet, kjo tabletë i jepte kontroll të plotë gruas:
“Mundësia që të kesh nën kontroll riprodhimin u bë një faktor revolucionar pasi ndryshoi dinamikën e forcave në marrëdhëniet e çiftit. Gratë për shembull mund të pinin përditë tabletën, pa i treguar burrit dhe në këtë mënyrë kontrollonin se kur çifti do të bënte fëmijë,” thotë profesorja e jurisprudencës, Aziza Ahmed.
Kjo e re nga pjesa veriore e Afganistanit shkon në një klinikë lokale me leje të burrit dhe merr tabletat kontraceptive.
"Kam katër fëmijë, nuk dua të bëj të tjerë,” thotë ajo.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në shkallë botërore pilula përdoret nga 150 milionë gra. Ajo mbetet forma kryesore kontraceptive sot në botë.
Megjithatë, që në fillimet e saj pilula ka zgjuar kundërshti të forta në baza morale e fetare në Shtetet e Bashkuara e vende të tjera.
“Kisha katolike historikisht e ka kundërshtuar si pilulën, ashtu edhe profilaktikët. Rezistenca kundër profilaktikëve u bë problem i madh gjatë krizës së SIDË-s,” thotë profesore Ahmed.
Po ashtu, nuk u realizuan shpresat fillestare se pilula do t’u jepte grave mundësinë të shmangnin shtatzani të padëshiruara dhe të kishin më shumë mundësi për të dalë nga varfëria. Gratë shpesh pengohen nga presioni kulturor, politik e fetar.
“Nëse gruaja informohet bashkë me burrin për rolin e kontraceptivëve dhe pilula i ofrohet falas, shanset janë që ajo do t’i marrë tabletat, por nëse i pi apo jo, varet nga vullneti i burrit,” thotë Barbara Seligman e Zyrës për Referenca mbi Popullsisë.
Një tjetër problem është qasja tek klinika apo specialistë të planifikimit familjar:
“Një ndër sfidat është se pilula ka një protokoll të vështirë: nëse harron të pish një tabletë një ditë, duhet të ndjekësh disa rregulla specifike për disa ditë. Po sikur të mos gjesh tableta për një javë sepse nuk ke klinikë afër? Çfarë ndodh?,” thotë zonja Seligman.
Në botë ka 230 milionë gra që i kërkojnë pilulat kontraceptive por nuk arrijnë t’i sigurojnë, sipas organiatës “Prindër me Plan”.
“Ende ka një numër të madh grash në Afrikë, Azi, Amerikë Latine që nuk kanë ku t’i marrin këto tableta. Është sidomos e vështirë për vajza të reja, adoleshente të cilat nuk kanë si të shmangin shtatzanitë,” thotë zonja Monica Kerrigan e organizatës “Prindër me Plan”.
Në këtë përvjetor, e ardhmja e pilulës dhe e formave të tjera të parandalimit të shtatzanive të padëshiruara vazhdon të shkaktojë debate të nxehta në Shtetet e Bashkuara. Gjykata e Lartë po analizon argumentet e kompanive që kërkojnë të mos paguajnë përmes siguracioneve koston e kontraceptivëve për punonjësit e tyre, pasi e kundërshtojnë përdorimin e kontraceptivëve mbi baza morale.
Aktivistët që mbështesin të drejtën e gruas për të kontrolluar shtatzanitë e padëshiruara, vërejnë se kjo rezistencë në Shtetet e Bashkuara ndodh ndërkohë që në botë po rritet përdorimi i kontraceptivëve.
Facebook Forum