Lidhje

Sirianët e zhvendosur gjejnë strehim në ish-godinat e Shtetit Islamik


Gjatë nëntë viteve të luftës është zhvendosur mbi gjysma e popullit sirian. Nuk është parë ndonjëherë në të kaluarën një largim i përmasave të tilla. Në një kompleks strehimi të mbuluar nga shenjat e plumbave, ku dikur strehoheshin militantët e Shtetit Islamik, shumë familje thonë se nuk shohin ndonjë opsion kthimi në shtëpi edhe nëse përfundon lufta. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock ishte në Raqqa, të Sirisë.

Këto godina në Raqqa strehonin dikur luftëtarët e huaj të Shtetit Islamik. Tani, apartamentet po mbushen me familjet që i largohen betejës në Idlib. Është eksodi më i shpejtë që kur filloi lufta civile në Siri nëntë vite më parë.

Kur mbërrijnë, ata përpiqen të riparojnë godinat dhe mendojnë se kthimi në shtëpitë e tyre do të jetë i largët.

“Na u desh të largoheshim. Kujtimet më torturojnë përbrenda. Imagjinoni dikë të gjakosur përpara teje, dhe të mos jesh në gjendje të bësh asgjë. Ti je njeri dhe po ashtu edhe ai tjetri”, thotë i zhvendosuri Ahmed Hashem.

Shumë njerëz thonë se iu deshën orë të tëra udhëtimi, në disa raste edhe ditë të tëra, për të ardhur në këtë vend relativisht të sigurtë.

Shumica e rreth një milion të zhvendosurve nga Idlibi gjatë tre muajve të fundit kanë lëvizur më në veri, pranë kufirit me Turqinë, ku organizatave të ndihmave u kanë mbaruar tendat për strehim dhe ku fëmijët po vdesin nga i ftohti.

Nëse lufta përfundon siç pritet, me një fitore për Presidentin sirian Bashar al-Assad, disa familje thonë se nuk mund të kthehen në shtëpi, pasi Idlibi njihet si bazë e rebelëve. Ata kanë frikë se qeveria do t’i arrestojë, megjithëse nuk janë bërë pjesë e rebelimit.

Udhëheqësit lokalë thonë se zgjidhja e vetme pas luftës, do të ishte një marrëveshje që do të garantonte sigurinë e të kthyerve.

“Zgjidhja është siguria dhe stabiliteti. Njerëzit mund të kthehen në shtëpi kur të ndalojnë bombardimet. Por, tani që qeveria e ka marrë zonën tonë, njerëzit nuk mund të kthehen pa një marrëveshje. Askush nuk guxon të kthehet tashmë”, thotë Haitham Haj Abdullah, i Këshillit të të Zhvendosurve.

Por, familjet thonë se asnjë marrëveshje nuk do t’u rikthejë njerëzit e tyre të dashur dhe se të gjitha palët ndërluftuese në Idlib kanë përgjegjësi për masakrat.

“Pashë fëmijën tim të vdesë para syve të mi, ndërsa fëmija tjetër u plagos. Si mundem ta harroj? Po burrin tim? Nuk e di ku ndodhet. Po sikur ta humbas edhe atë? Më mirë të qëndrojmë këtu”, thotë e zhvendosura Abeel.

Punonjësit e organizatave të ndihmave mendojnë se numri i familjeve që largohen do të arrijë kulmin kur beteja t’i afrohet kryeqytetit të provincës. Mbi gjysma e të zhvendosurve janë fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG