Lidhje

“Shengeni” ballkanik, Vuçiç pritet me protesta në Tiranë


Në Shqipëri, ka nisur sot pasdite pjesa jo zyrtare e takimit të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit, në kuadër të nismës për të ashtuquajturin “Shengen ballkanik”, një përpjekje për të krijuar një zonë për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, pa barriera kufitare. Kryeministri Edi Rama ka pritur pasdite kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Të tre udhëheqësit janë nismëtarët e këtij procesi.

Takimi në një nga hotelet e kryeqytetit është shoqëruar me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Vetvendosja në Shqipëri, kundër pranisë së presidentit serb i cilësuar prej tyre si “kriminel lufte”. Manifestuesit mbanin në duar parulla dhe foto të masakrave të policisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90, duke kujtuar dhe deklaratat e fundit të presidentit serb që e konsideronte një sajesë masakrën e Reçakut. Një kordon policie qëndroi përballë protestuesve duke mos lejuar afrimin e tyre me mjediset e hotelit ku po mbahej takimi.

Tre udhëheqësve ballkanikë nesër pritet t’u bashkohet dhe presidenti i Malit të Zi, ndërsa Kosova sërish ka refuzuar pjesmarrjen. Një qëndrim të cilin kryeministri Edi Rama e konsideruar të gabuar, pasi, sipas tij “Kosova po zgjedh të vetizolohet”.

Takimi i Tiranës, i treti pas atij në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, parashikon që gjatë ditës së nesërme të ketë fillimisht vizita në disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës. Më pas, në orën 10.00, në hotel “Rogner” do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Ndërsa në orën 12.00 do të vijohet me Seancën Plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve. Në orën 13.15, të ditës së shtunë, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp, e cila do të zhvillohet në të njëjtin vend, në hotel Rogner, Tiranë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG