Lidhje

OKB: Dhuna seksuale prek një ndër tre gra në gjithë botën


Ajna Jusic e mësoi të vërtetën për babanë që nuk e kishte njohur kurrë, vetëm në moshën 15 vjeçare.

“Kaloja netë të tëra duke menduar për babanë. Kisha krijuar shumë skenare në mendjen time, por nuk e kisha menduar kurrë që ekzistenca ime ishte rezultat i një përdhunimi lufte”, thotë 26 vjeçarja Jusic.

Ajo është nga mijëra fëmijët që kanë lindur si rezultat i përdhunimeve të genocidit të 20 mijë deri 50 mijë grave dhe vajzave myslimane boshnjake nga serbët, gjatë konfliktit të viteve 1990. Sot ajo kryeson Shoqatën e Fëmijëve të Harruar të Luftës së Bosnjës, që ka si objektiv t’u sigurojë këtyre të rinjve shërbimet që u duhen, përfshirë ndihmë me koston e arsimit dhe mbështetje psikologjike dhe ligjore.

“Nuk mund të jetoj më në errësirë, si e padukshme. Duhet të ngre zërin dhe t’i them shoqërisë se ekzistoj, ju lutem mos më quani fëmijë të urrejtjes, sepse unë dua dhe dëshiroj që të më duan”, tha Ajna të hënën, duke folur në një takim të OKB-së, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Dhuna seksuale ndaj gruas prek një ndër tre gra në botë.

“Dhuna seksuale vazhdon të përdoret për të përhapur frikë dhe për të ushtruar kontroll. Mbetet një taktikë mizore torture, terrori dhe shtypjeje politike, një mjet efektiv brutal zhvendosjeje dhe dehumanizimi. Reagimi vazhdon të jetë i ngadaltë; pandëshkueshmëria vazhdon dhe përgjigjia ligjore dhe drejtësia, përjashtime të rralla”, tha Pramila Patten, Përfaqësuesja e Posaçme e OKB-së kundër Dhunës Seksuale në Konflikt.

Ajo tha se shërbimet për të mbijetuarat janë të pamjaftueshme dhe stigma aq e përhapur saqë në disa vende, gratë vendosin të qendrojnë me abuzuesit, që të mos përballen me familjet dhe komunitetet që i bëjnë me turp, sepse janë përdhunuar.

“Duhet të zhvendosim stigmën nga të mbijetuarat tek shkaktarët”, tha Karen Naimer organizatës së Mjekëve për të Drejtat e Njeriut.

Ndryshimi i mentalitetit kulturor është një përparësi.

Chinyere Eyoh, një e mbijetuar e dhunës seksuale është Drejtore Ekzekutive e Nismës për Ndërgjegjësimin për Dhunën Seksuale dhe Rehabilimin e Viktimave në Nigeri.

Ajo tha se në Afrikë, anagazhimi i burrave si aleatë për edukimin dhe ndërgjegjësimin, ka qenë efektiv.

“Zbulon që burrat i dëgjojnë më shumë burrat e tjerë kur flasin për këtë çështje, sesa gratë kur flasin për vete”, tha ajo.

Të hënën, OKB-ja shpalli një fushatë 16 ditore aktivizmi për ta vënë theksin tek dhuna me bazë seksuale, që do të mbyllet më 10 dhjetor: Dita e të Drejtave të Njeriut.

“Sot u bëjmë gjithashtu thirrje qeverive dhe organizatave të shërbimeve që të të marrin hapat positive të nevojshëm për të intensifikuar masat, që duhet të përfshijnë mbajtjen e përgjegjësisë, duke e bërë përdhunimin të paligjshëm, përfshirë në ato vende ku ende përdhunimi në martesë është i lejeshëm, dhe vënien para përgjegjësisë të përdhunuesve në çdo vend anëtar të OKB-së”, tha Phumzile Mlambo-Ngcuka, Drejtore Ekzekutive e grupit të OKB-së për gratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG