Lidhje

Shkodër, hapet ekspozita “Totalitarizmi në Europë”


Shkodër, hapet ekspozita “Totalitarizmi në Europë”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:41 0:00

50 përfaqësuesit ndërkombëtar të Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, kryesisht nga vendet e Europës Lindore, u ndalën fillimisht në Muzeun e Kujtesës së Krimeve të Komunizmit në Shkodër ku, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë, u hap ekspozita “Totalitarizmi në Europë”.

Drejtoresha e këtij Instituti, Jonila Godole tha se, krahas 14 vendeve europiane si Polonia, Gjermania, Sllovenia, Hungaria apo Bullgaria, edhe Shqipëria është paraqitur me dy stenda ku pasqyrohet persekucioni gjatë periudhës së komunizmit.

"Për herë të parë në Shqipëri kemi një ekspozitë të tillë, e cila fillon tani në Shkodër e, më pas, në Muzeun Kombëtar. Kemi një ekspozitë me përmbledhje të shkurtër se çfarë ka ndodhur në këto vende, duke filluar tani nga Shqipëria dhe në vende të tjera të Lindjes. Por, mbi të gjitha, kemi një ekspozitë në të cilën kemi shifra për viktimat, kemi emra dhe fytyra të persekutorëve dhe përsonave përgjegjës për krime të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe të kryera gjatë komunizmit në të gjithë këto vende. Kjo është një risi për Shqipërinë pasi ne këtu asnjëherë nuk kemi folur hapur se kush janë përgjegjësit kryesor që mbajnë përgjegjësi për krimet e kryera në 45 vjet në Shqipëri."

Presidenti i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, Lukas Kaminski, tha se Shqipëria, ashtu si shumë prej vendeve ish komuniste, vazhdon të ketë probleme me ballafaqimin me të kaluarën.

"Të gjitha vendet ish komuniste, që tani janë në Bashkimin Europian, kanë pasur një përvojë të vështirë dhe, edhe sot, kanë problem në lidhje me ballafaqimin me të shkuarën. Në këto 30 vite kemi mësuar se, për të ndërtuar një demokraci moderne dhe institucione të qendrueshme në vend, parakusht është ballafaqimi me të shkuarën."

Zoti Kaminski tha se një nga slloganet ku mbështetet demokracia në Europë është sundimi i ligjit. Por, si mund të sundojë ligji në një vend ku nuk janë dënuar autorët e krimeve dhe ata vazhdojnë të jenë ende në parlament apo në institucione të tjera publike?

Në këtë mënyrë, shtoi ai, rrezikohet që edhe politikanët të mos i vendosim para përgjegjësisë dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, pa dhënë llogari për veprimtarinë e tyre. Shpresojmë, tha zoti Kaminski, që elita aktuale e politikës në Shqipëri të gjejë forcën dhe vullnetin për të punuar në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të Europës Lindore edhe Shqipëria është anëtare e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane. Sipas zonjës Godole kjo është një mundësi që zëri i Shqipërisë për krimet e komunizmit të dëgjohet edhe në Parlamentin Europian.

"Platforma Europiane e Kujtesës dhe të qenurit anëtar i saj është e rëndësishme sidomos në Shqipëri ku puna për të zbardhur krimet e komunizmit dhe ballafaqimi me të shkuarën nuk mbështetet nga shteti, nuk mbështetet nga institucionet kombëtare. Ndaj, janë pikërisht këto institucione si Platforma Europiana e Kujtesës ku ne mund të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, duke qenë se ka shumë anëtarë që vijnë me histori të ngjashme me ne dhe për të treguar se çfarë ka ngjarë në Shqipëri në mënyrë që të mos jemi të izoluar dhe vetëm ne të flasim për çfarë ka ndodhur në Shqipëri, por Shqipëria të ketë një zë deri në Parlamentin Europian për atë që ka ndodhur në Shqipëri për 45 vite."

Pas Shkodrës, pjesëtarët e delegacionit të Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane së bashku me ekspozitën “Totalitarizmi në Europë” do të udhëtojnë edhe në vende të tjera të kujtesës historike; në Lezhë dhe në Tiranë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG