Administrata e Presidentit Trump ka ripërtëritur një përpjekje për të përmirësuar sistemin shumë të kritikuar të imigracionit në Shtetet e Bashkuara ndërsa po rritet me shpejtësi numri i emigrantëve të Amerikës Qendrore dhe azilkërkuesve që mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë. Në një përpjekje për t'i dhënë fund imigracionit të paligjshëm, presidenti Donald Trump tha përmes Twitter-it të enjten vonë, se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e një tarife në rritje mbi importet meksikane derisa "imigrantët e paligjshëm" të ndalojnë përpjekjet për të udhëtuar përmes Meksikës për të arritur në Amerikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se vullneti për marrëveshje dypalëshe mbi reformat e mundshme mbetet i pakët dhe mund të jetë edhe më i vështirë për t’u realizuar pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë.
Administrata e Presidentit Trump thotë se mbi 100 mijë imigrantë arrijnë në kufi çdo muaj, duke rezultuar në një shifër totale alarmante që nga fillimi i vitit të ri fiskal tetorin e kaluar.
“Deri më 30 prill, kemi arrestuar 460.294 njerëz në kufirin jugor ... Rreth gjysma e të rriturve që kapëm në prill ishin me fëmijë. Ata e kanë marrë mirë dhe qartë mesazhin se po të sjellësh një fëmijë, do të lirohesh", thotë Carla Provost, shefe e Rojes Kufitare Amerikane.
Presidenti Donald Trump u përgjigj me një plan për të ashpërsuar standardet e azilit dhe për të dekurajuar ardhjen e imigrantëve.
"Azilkërkuesit e ligjshëm janë duke u zhvendosur nga ata që bëjnë kërkesa të pavlefshme".
Presidenti Trump gjithashtu dëshiron të vazhdojë ndërtimin e murit në kufit dhe të zbatojë një sistem të imigracionit "bazuar në merita" që i jep përparësi të ardhurve të kualifikuar. Demokratët nuk janë të kënaqur me këtë qasje.
"Meritë - është me të vërtetë një fjalë mospërfillëse. A është duke thënë administrata se familja është pa meritë?", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
“Trumpi zgjedh të ndërtojë mur, diçka që shërben vetëm për të rritur egon e tij dhe që dëmton në mënyrë të pandreqshme komunitetet tona kufitare”, thotë Kathleen Rice në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Asnjë plan nuk mund të miratohet pa mbështetjen dypalëshe në Kongresin e ndarë politikisht. Presidenti Trump i ka provokuar në mënyrë të përsëritur demokratët për këtë çështje.
"Demokratët po propozojnë kufij të hapur, paga më të ulëta dhe sinqerisht, kaos."
Dhe në tubimet politike, ai flet hapur për të sapoardhurit në Amerikë.
"Vendi ynë është plot. Nuk duam që njerëzit të vijnë këtu".
Kohët e fundit presidenti Trump emëroi ish-prokurorin e përgjithshëm të Virxhinias, Ken Cuccinelli, si koordinator të imigracionit në Shtëpinë e Bardhë. Cuccinelli dikur ka argumentuar se policia mund të kontrollojë statusin e emigracionit të kujtdo që ndalet në rrugë.
"Cuccinelli është konservator për imigracionin. Ai ndan pikëpamjet e presidentit", thotë Elaine Kamarck me Institutin Brookings.
Demokratët janë të indinjuar nga mbrojtja e palodhur e Cuccinellit e pikëpamjeve konservatore, duke e bërë edhe më të vështirë për administratën që të sigurojë mbështetjen demokratike për propozimet e saj të imigracionit me Cuccinellin në krye të këtyre përpjekjeve.
Tani për tani, pak vetë shohin ndonjë shpresë për një konsensus dypalësh mbi imigracionin.
"Do të thosha se shanset janë më pak se zero... Ajo që e bën kaq të vështirë është se është bërë një çështje ideologjike që ndan dy partitë ... Trumpi flet për imigracionin sikur do të shkatërrojë Amerikën dhe ka të
tjera njerëz që flasin për imigracionin si absolutisht themeli i Amerikës", thotë Elaine Kamarck me Institutin Brookings.
Një legjislacion kontradiktor rrallë shndërrohet në ligj në një vit zgjedhor. Me fushatën e 2020-s që po afrohet, hapësira për veprim mbi imigracionin zvogëlohet dita ditës.