Disa grupe dhe individë të lidhur me terrorizmin janë duke bërë haptazi fushatë elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të Pakistanit që mbahen më 25 korrik. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ayesha Tanzeem nga Islamabadi, partitë politike janë të shqetësuara për ndikimin që mund të kenë këta individë nëse zgjidhen në parlament.
Hafiz Saeed, emri i të cilit gjendet në listat OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara për terrorizmin, mirëpritet me ngrohtësi në një tubim elektoral në Islamabad. Pasi komisioni zgjedhor refuzoi regjistrimin e partisë së tij, Lidhja Myslimane “Milli”, kandidatët u paraqitën si pjesë e një subjekti tjetër të quajtur Lëvizja “Allah o Akbar”. Por, kandidatët shfaqin fotografinë e Saeed-it në banderolat e tyre, duke e bërë të qartë mbështetjen. Partia e tij ka paraqitur mbi 250 kandidatë për asamblenë kombëtare dhe ato provinciale.
“Udhëheqësit vendosën gjatë muajve të fundit se do të sfidojmë rezultatin e zgjedhjeve. Po marrim reagime të shkëlqyera. Njerëzit janë të lodhur nga partitë e vjetra politike. Asnjëra nuk ka bërë diçka për njerëzit e thjeshtë”, thotë Chaudhry Saeed Gujjar, kandidat i Lëvizjes “Allah o Akbar”.
ASWJ, një tjetër grup të cilit i është ndaluar pjesëmarrja dhe akuzohet se ka marrë jetët e mijëra myslimanëve shiitë, gjithashtu po fut kandidatë në zgjedhje nëpërmje një tjetër subjekti. Emri i kryetarit të kësaj partie, Mohammad Ahmed Ludhianvi, u hoq nga lista e terrorizmit, asetet e tij u zhbllokuan, si dhe iu hoqën kufizimet për udhëtimin.
Institucionet e sigurisë të Pakistanit kanë folur për normalizimin e këtyre grupimeve, me qëllim përmballimin e sfidave të ekstremizmit të dhunshëm. Por, analistët thonë se pa një plan gjithpërfshirës çradikalizimi, lejimi i tyre në skenën politike mund të jetë i dëmshëm për Pakistanin.
“Deri më tani, përshtypja e përgjithshme është se nuk ka një plan për t’i çradikalizuar. Duket madje si një plan për të zgjeruar influencën e tyre”, thotë Amir Rana, nga Instituti i Pakistanit për Studime të Paqes.
Anëtarët e partive kryesore politike të Pakistanit janë gjithashtu të shqetësuar për efektet e këtyre grupeve tek politika.
Disa senatorë paralajmëruan rishtazi komisionin e zgjedhjeve të mos lejojë regjistrimin e tyre në procesin zgjedhor.
Komisioni zgjedhor u ka dërguar letër tre kandidatëve, duke u kërkuar shpjegime për lidhjet e tyre me grupe të ndaluara. Megjithatë, zëdhënësi i komisionit nuk pranoi të komentojë për arsyet pse të tjerë kandidatë të tillë janë lejuar të bëjnë haptazi fushatë.