Lidhje

Kosovë, shtatë të dënuar për terrorizëm


Gjykata Themelore në Prishtinë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie dhe gjoba, shtatë persona, nën akuzat që ndërlidhen me terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Artan Kadriu u dënua me katër vjet heqje lirie, Besim Shabani me tri vjet, Egzon Latifi me tri vjet, Bekim Halili me tri vjet përfshirë edhe për veprën armëmbajtje pa leje, Jetmir Bushi me dy vjet e katër muaj dhe Adil Bushi me dy vjet e katër muaj.

Njëri nga të akuzuarit është dënuar me kusht për armëmbajtje pa leje ndërsa njëri është liruar nga akuzat pasi që gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme.

Në pranverën e vitit 2015, Prokuroria e Posaçme e Kosovës kishte ngritur aktakuza ndaj njëmbëdhejtë personave për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG