Lidhje

Një dramë e re mbi takimin Regan-Gorbaçov


Pushtimi i Afganistanit nga sovjetikët në 1979 anuloi detantën mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, duke sjellë ngrirje në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe duke thelluar tensionet e Luftës së Ftohtë. Në mbarë globin u shtua shqetësimi se mes dy superfuqive botërore mund të shpërthente lufta bërthamore. Një dramë e re që po shfaqet në Çikago, vepër e një imigranti të lindur në Kubë, frymëzohet nga dinamika dhe ngjarjet e viteve 1980 dhe impulset e krijuara në këtë periudhë që ndikuan tek përfundimi i Luftës së Ftohtë. Korrespondenti Kane Farabaugh ka përgatitur reportazhin:

Takimi i parë mes Presidentit Ronald Regan dhe udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbachev në Gjenevë në nëntor 1985, shënoi fillimin e shkrirjes në marrëdhëniet mes dy fuqive bërthamore.

“Ishte një moment me rëndësi në historinë e Luftës së Ftohtë, pasi që pas pushtimit të Afganistanit nuk kishte pasur asnjë moment kur një Sekretar i Përgjithshëm i sovjetikëve ishte ulur për të biseduar me presidentin amerikan,” thotë dramaturgu Rogelio Martinez.

Kjo ngjarje e frymëzoi dramaturgun Rogelio Martinez të hynte më thellë tek detajet e kësaj ngjarjeje që nuk e kishte vlerësuar shumë kur ishte 15 vjeç.

“Megjithëse drama përqëndrohet tek Presidenti Regan, Gorbaçovi, Ministri i Jashtëm Shevernaze dhe Sekretari i Shtetit, Shultz, në realitet subjekti ka të bëjë me mua, me botën që kam njohur në fëmijëri. Kjo është një dramë tepër personale, por është edhe historike”.

Zoti Martinez lindi në Kubën komuniste, por u arratis kur ishte nëntë vjeç me xhaxhain gjatë operacionit Mariel që lejoi një dyndje azilantësh nga Kuba për në Shtetet e Bashkuara. Drama që shtjellon bisedimet në Gjenevë shihet nga një perspektivë personale, fillimisht nga përshtypjet e krijuara gjatë viteve në Kubën komuniste dhe më pas në demokracinë amerikane nën udhëheqjen e Reganit, të njohur si “Komunikuesi i Madh”.

“Kur fillova ta shkruaj dramën e kuptova se vetë Regani është disi enigmatik. Ai ishte elastik, një veti e mrekullueshme për një politikan. Ai ndiqte instiktin e vet”.

Dramaturgu arriti në këtë konkluzion pasi lexoi letrat që kishin shkëmbyer para takimit dy udhëheqësit.

“Nuk flisnin me pasazhe për fjalime. Dukej që ndjenin një përgjegjësi shumë të madhe që e përcillnin në çdo fjalë të letrave”.

“Drama kërkonte një punë më të thellë,” thotë aktori William Dick.

William Dick luan rolin e Mikhail Gorbaçovit.

“Dialogu është esencial. Këta dy individë i ndan një humnerë e madhe, ata kanë dallime kulturore që mund të kishin shkaktuar një katastrofë bërthamore. Por ata kishin guximin t’i zgjasnin njeri-tjetrit dorën në errësirë për të arritur këtë moment,” thotë aktori.

Aktori Rob Riley luan rolin e Ronald Reganit. Ai thotë se në skenë nuk shfaqet vetëm një analizë serioze e një momenti historik, por edhe mësime të vlefshme përmes disa momenteve me humor:

"Çdo dramë që flet për politikën ndërkombëtare ofron mësime për të tashmen,” thotë aktori Rob Riley.

Drama është shumë optimiste, gjë që nuk e gjejmë në zhvillimet e sotme,” thotë dramaturgu.

“Tema e përgjithshme vlen edhe sot. Në qendër të saj është vlera e dialogut. Siç thotë Presidenti Regan në dramë, me rëndësi ka të flasim me njeri-tjetrin, jo për njeri-tjetrin. Rëndësi ka ky takim mes dy udhëheqësve,” thotë aktori William Dick.

Drama Blind Date do të vazhdojë të shfaqet në Teatrin Goodman deri më 25 shkurt, por dramaturgu shpreson që ta përcjellë mesazhin e tij për një audiencë më të madhe, me dëshirën që një ditë të realizojë një film artistik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG