Një nga fabrikat më të mëdha tekstile të Kinës po planifikon hapjen e fabrikës së saj të parë në Amerikën Veriore, në një qytet të vogël të shtetit jugor amerikan të Arkansasit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ping Zhang shkoi në Arkansas, për t'u njohur me pritshmëritë e banorëve lokalë dhe premtimin që u është bërë për hapjen e vendeve të reja të punës:
"Forrest City" është një qytet i vogël pranë Lumit Mississippi, ku kompania gjigande kineze e tekstileve, "Shandong Ruyi" po planifikon një investim prej 410 millionë dollarësh, për hapjen e një fabrike tekstilesh, në ndërtesën ku dikur prodhoheshin televizorë të markës japoneze.
Kryetari i Bashkisë Larry Bryant, thotë se kompania kineze tani është përqendruar tek trajnimi në një shkollë profesionale.
”Mendoj se të gjithë janë të lumtur dhe në pritje. Po të hapeshin aplikimet që nesër do të kishte mijëra kërkesa."- thotë Kryetari i Bashkisë.
Sipas projektit çdo vit do të përdoren 200 mijë degje pambuku nga Arkansasi që është pothuajse e gjithë sasia që prodhohet çdo vit në këtë shtet. Drejtori Ekzekutiv i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik në Arkansas, Mike Preston, pret një shtim në mbjelljen e pambukut:
“Kjo ka për ta ndryshuar situatën ekonomike në qytet; do të shtojë të ardhurat për punonjësit e fabrikës, sektorin e bujqësisë, transportin brenda dhe jashtë fabrikës. Pra, një kompani si kjo ofron shumë, ëshë një projekt me shumë përfitime ekonomike,"- thotë ai.
Këtu në Shtetet e Bashkuara disa investitorë kinezë po përballen me sfida nga sindikatat, që ngrenë shqetësimin ndryshimet kukturore në vendin e punës.
Guvernatori i Arkansasit Asa Hutchinson ka sjellë thuajse dy miliardë dollarë investime kineze në shtet. Ai thotë se gjithmonë ekzistojnë ndryshime kulturore, për të cilat duhet punuar:
“Kemi plot gjëra për të mësuar nga bizneset dhe punonjësit kinezë.Duhet të jemi të hapur për ide të mira dhe anasjelltas. Biznesmenët kinezë do të mësojnë nga shumë praktika të mira që kemi këtu dhe ndoshta do të duan t'i përshtasin. Unë shoh përftime nga të dyja palët," - thotë zoti Hutchinson.
Pronari i restorantit "Delta Q Barbecue", Pierre Evans, thotë se biznesmenëve të rinj kinezë do t'u ofrohet një pritje e ngrohtë në “Forrest City”:
“Ardhja e tyre ka për të sjellë veç të mira, jo vetëm për mua, por edhe për biznese të tjera këtu. Ky fluks të ardhurash ka për të patur ndikim të madh tek një komunitet i vogël si ky yni,"- thotë ai.
Udhëheqësit lokalë ndjehen veçanërisht të inkurajuar nga premtimi i kompanisë për hapjen e 800 vendeve të reja pune dhe pagën fillestare prej 15 dollarë në orë për punëtorët. Kjo është thuajse sa dyfishi i pagës minimale në një komunitet, që ka patur probleme ekonomike për dekada me radhë.
Facebook Forum