Në Shqipëri, katër të arrestuarit në fundjavë dyshohet se po përgatiteshin për një sulm terrorist gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit e parashikuar për të shtunën e ardhshme në qytetin e Shkodrës. Sot u njoftua se ndeshja është spostuar dhe se ajo do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Elbasanit “për motive sigurie”. Burime të ndryshme të cilat citohen dhe nga mediat shqiptare, bëjnë të ditur se informazionet për aktivitetin e grupit dhe dyshimet për përgatitjen e akteve terroriste, kanë mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga shërbimet sekrete izraelite.
Operacioni i cili u zhvillua paralelisht dhe në Kosovë çoi në arrestimin e të patën 13 personave deri tani, nga të cilët dy u arrestuan gjatë ditës së djeshme nga autoritete kosovare.
Në dokumentin e prokurorisë së Posaçme të Kosovës, thuhet se shtatë të arrestuarit ishin në kontakt me pjesëtarin e grupit militant Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, i cili u bë i njohur në korrik të vitit 2014 pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij, nga i cili kishin marrë udhëzime për sulme. "Ata po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuat sulme mbi ndërtesa të ndryshme, mbi institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare", thuhet në dokumentin e prokurorisë së posaçme. Prokuroria pretendon se njëri nga të arrestuarit një kohë ka marrë pjesë në veprimtaritë e grupit militant Shteti Islamik në Siri.
Në Shqipëri Gjykata e Krimeve të Rënda la dje masën e arrestit në burg për të katër personat e dyshuar se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, kanë propaganduar nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, se kanë mbështetur me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe se mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”.
Seanca ndaj tyre u parapri nga masa shtesë sigurie në Gjykatë. Prokurorët të cilët deklaruan se kanë provat e mjaftueshme që vërtetojnë aktivitetin e të arrestuarve, nuk kanë ende një numër të saktë të personave që janë rekrutuar.
Përpara gjykatësve dy prej të dyshuarve Bekim Protopapa, me profesion mjek dhe Ergys Faslia, i cili dyshohet të jetë kreu i grupit, nuk pranuan akuzat duke deklaruar se janë arrestuar vetëm për shkak të besimit të tyre. Ndërsa dy të tjerët, Xhezair Fishti, i vetshpallur imam dhe Medat Hasani, nuk dhanë deklarata përpara trupit gjykues.