Jimmy Scott ishte një këngëtar dhe kompozitor amerikan i muzikës jazz. i respektuar nga kolegët e tij muzikantë, por që asnjëherë nuk arriti dot famën që ata mendonin se e meritonte. Pak kohë para se të vdiste në vitin 2014, një producent muzike dhe regjisor nga Gjermania ka përshkruar shpirtin dhe tingujt e tij në një film të titulluar “Unë kthehem në shtëpi, Jimmy Scott”, që u shfaq së fundmi në festivalin e filmit South by Southwest në Austin të Teksasit.
“Njerëzit punojnë gjithë jetën, pastaj dalin në pension dhe gëzojnë suksesin personal dhe profesional. Ai nuk e arriti kurrë një gjë të tillë”, thotë Joe Pesci në film.
“Jimmy Scott është një artist i kësaj fushe që nuk është vlerësuar asnjëherë aq sa duhet”, shprehet producenti Ralph Kemper.
"Ne mblodhëm rreth 11 -12 këngë nga Albumi i Këngëve Amerikane, që mendoja se mund t’i realizonim bashkë dhe shkova në Los Angeles dhe pastaj në Las Vegas për të Jimmy-in”, thotë producenti Kemper.
“Në momentin e parë që takova Jimmy-n në Vegas dhe bëmë provat e para, u ktheva nga Ralph dhe e pashë sa I tronditur ishte, ashtu si edhe unë që e pamë në një gjendje aq të keqe shëndetësore dhe e kuptova në atë moment që ky projekt kishte marrë fund”, thotë regjisori Yoon-Ha Chang.
“Ditën e parë që takuam Jimmy-n, aty ishte edhe Joe Pesci. Ata ishin miq dhe meqë Joe Pesci kishte dëgjuar që dikush do të vinte nga Gjermania për të bërë një inçizim, ai ishte kureshtar”.
“Ishte në një gjendje të keqe, por kur filloi të këndonte, ishte krejtësisht në botën e tij”, thotë regjisori Chang.
Jimmy Scott vdiq më 12 qershor 2014. Albumi që regjistroi me Ralph Kemperin del në qarkullim në qershor.