Filmi satirik “Birdman”, që është vlerësuar nga kritika për stilin novator të shtjellimit të subjektit, ka marrë edhe pëlqimin e Shoqatës së Gazetarëve të Huaj të Hollivudit e cila shpalli sot konkurrentët për Globin e Artë. Filmi “Birdman”, i cili është kandidat në shtatë kategori, rrëfen historinë e një aktori të cilit i ka perënduar karriera, megjithatë përpiqet të rikthehet në skenën e teatrit. Filmi konkurron për globin e artë në kategorinë e komedisë më të mirë, ku janë emëruar edhe komedia “The Grand Budapest Hotel,” “Into the Woods”, “Pride” dhe “St. Vincent”.
Personazhi kryesor i filmit “Birdman” luhet nga aktori Michael Keaton, i cili është kandidat për Globin e Artë në kategorinë e aktorit më të mirë në një komedi, ku konkurron me Ralph Fiennes, Joaquin Phoenix, Bill Murray dhe Christoph Waltz.
Në kategorinë e filmit më të mirë dramatik konkurrojnë “Boyhood”, “The Imitation Game”, “Foxcatcher”, “The Theory of Everything”, dhe “Selma”. Globi i Artë është një çmim prestigjoz për arritjet e artit kinematografik dhe një parathënie për fituesit e Oskarit që shpallen në shkurt të vitit të ardhshëm.