Lidhje

Credit Suisse pranon fajësinë për evazion fiskal


Banka zvicerane Credit Suisse AG pranoi dje fajësinë ndaj akuzave se ka ndihmuar amerikanë të pasur të shmangin pagimin e taksave me anë të llogarive të fshehta jashtë vendit dhe ra dakord të paguajë rreth 2,6 miliardë dollarë për masat ndëshkimore. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se kjo ishte gjoba më e madhe e vendosur ndonjëherë për rastet e shkeljeve penale me taksat.

Credit Suisse u bë kështu banka më e madhe që pranon fajësinë ndaj akuzave penale në më shumë se 20 vjet. Ky veprim shënon fundin e një hetimi një-vjeçar mbi dyshimet se banka e dytë më e madhe e Zvicrës gjente klientë në SHBA për t’u hapur llogari zvicerane, i ndihmonte t’i fshihnin ato nga shërbimi amerikan i taksave dhe mundësonte sjellje të palejueshme të punonjësve bankarë.
Çështja është pjesë e një goditjeje të administratës së Presidentit Obama ndaj bankave të huaja që mendohet se ndihmojnë taksapaguesit amerikanë të fshehin pasuritë. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder tha në një konference shtypi se ky rast tregon se asnjë institucion financiar nuk është mbi ligjin.

"Sot mund të njoftoj se Credit Suisse ka rënë dakord të pranojë fajësinë për akuzat penale që lidhen me këtë aktivitet të paligjshëm të përhapur. Kjo është banka më e madhe që vetëdeklarohet fajtore në 20 vjet. Banka do të paguajë një shifër totale prej 1,8 miliardë dollarë, në formën e një gjobë prej mbi 1,3 miliardë dhe pothuajse 670 milionë dollarë të kthyera ndaj agjencisë kombëtare të taksave IRS. Ata e kanë pranuar shkeljen kriminale në një deklaratë të hollësishme faktesh, të cilat i janë shtuar informacioneve të tjera të kësaj çështjeje."

Sipas të dhënave të kësaj çështjeje penale, një taktikë e përdorur nga Credit Suisse ndihmonte taksapaguesit të dërgonin para në llogari jashtë vendit, duke ulur kështu detyrimet e tyre tatimore, diçka që vazhdoi për dekada të tëra.

"Credit Suisse jo vetëm që ishte në dijeni në lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm ndërkufitar, por ata e ndihmonin me dashje dhe e përkrahnin atë. Qindra punonjës të Credit Suisse, duke përfshirë dhe drejtues, komplotonin për të ndihmuar shkelës tatimorë të shmangnin taksat ndaj Shteteve të Bashkuara."

Rregullatorët dhe zbatuesit e ligjit shpesh kanë ngurruar të akuzonin penalisht bankat prej shqetësimeve për një tjetër krizë financiare, por jo këtë herë.
Banka Credit Suisse shprehu keqardhje për shkeljet. Sipas marrëveshjes, drejtuesit e lartë mund të mbajnë vendet e punës dhe banka mund të mbajë licencën në shtetin e Nju Jorkut. Shpallja e dënimit nga gjykata është planifikuar për më 12 gusht.
XS
SM
MD
LG